Misioni amerikan në Organizatën për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, tha të enjten se ndërhyrja e NATO-s në pranverën e vitit 1999, ishte një veprim i domosdoshëm për t'i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik në Kosovë, dhe Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për t’u siguruar që ajo periudhë të mos përsëritet.
Në një komunikatë të së ngarkuarës me punë në këtë mision, Katherine Brucker, thuhet se njëzet e pesë vjet më parë, NATO-ja filloi operacionin për t'i dhënë fund krizës së vazhdueshme humanitare në Kosovë dhe “pas shterimit të të gjitha rrugëve diplomatike për t'i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të (presidentit serb Slobodan) Milosheviçit, veprimi ushtarak ishte opsioni i fundit”.
“Përdorimi i forcës nga NATO-ja ishte i domosdoshëm dhe legjitim”, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kishte shprehur shqetësimin për situatën e rëndë humanitare në Kosovë, numrin në rritje të refugjatëve dhe kërcënimin që paraqiste për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Nuk do ta harrojmë kurrë atë që ndodhi një çerek shekulli më parë. Ne kujtojmë mijëra njerëz të pafajshëm që u vranë ose që mbetën të zhdukur, dhe qindra mijëra të dëbuar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës së regjimit etno-nacionalist të Millosheviçit dhe forcave të tij”, thuhet në komunikatë.
“Duke e njohur këtë të kaluar të errët dhe të vendosur për të siguruar që ajo të mos përsëritet, Shtetet e Bashkuara janë të përqendruara në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin evropian të rajonit”, theksohet më tej, duke u bërë thirrje vendeve të rajonit të përqendrohen në përmbushjen e detyrës për ndërtimin e një Ballkani Perëndimor të qëndrueshëm, të begatë, shumetnik dhe të sigurt.
“Një e ardhme më e ndritur për Ballkanin Perëndimor kërkon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke përfshirë njohjen e ndërsjellë në fund. Ne e mbështesim plotësisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është rruga e vetme drejt së ardhmes që e meritojnë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e misionit amerikan.
Në 24 mars të vitit 1999, NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, e cila shënoi edhe fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.
Ndërhyrja e NATO-s pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës.
Fushata ajrore 78 ditore në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.
Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.
Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen perëndimore, por vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.