Lidhje

Ushtria izraelite thotë se vrau 90 persona të armatosur në spitalin Shifa


Palestinezë të zhvendosur largohen nga zona në afërsi të spitalit al-Shifa
Palestinezë të zhvendosur largohen nga zona në afërsi të spitalit al-Shifa

Ushtria izraelite tha të mërkurën se ka vrarë rreth 90 persona të armatosur dhe ka arrestuar 160 veta, gjatë një operacioni në spitalin Shifa në Rripin e Gazës.

Al Shifa, spitali më i madh i Rripit të Gazës para luftës, tani është një nga komplekset e pakta të kujdesit shëndetësor që është pjesërisht funksional në veri të territorit, dhe gjithashtu strehë e civilëve të zhvendosur.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se trupat e saj “kanë eliminuar terroristët dhe kanë gjetur armë në zonën e spitalit, duke parandaluar dëmet mbi civilët, pacientët, ekipet dhe pajisjet mjekësore”.

Operacioni i Izraelit në spital filloi në orët e para të së hënës. Ushtria tha se dërgoi forcat e posaçme të mbështetura nga këmbësoria dhe tanket, pas të dhënave të shërbimit të zbulimit, sipas të cilave, spitali po shfrytëzohej sërish nga persona të armatosur.

Izraeli u përball me kritika të ashpra nëntorin e kaluar kur trupat sulmuan për herë të parë spitalin Shifa. Trupat zbuluan tunele atje, të cilat sipas tyre ishin përdorur si qendra komandimi dhe kontrolli nga Hamasi. Grupi militant dhe personeli mjekësor mohojnë se spitali është përdorur për qëllime ushtarake ose për të strehuar luftëtarët.

Zyra për media e Hamasit tha se të gjithë të vrarët gjatë sulmit ishin civilë. Por shtimi i luftimeve në qytetin e Gazës flet për praninë e vazhdueshme të Hamasit në Gazën veriore, disa muaj pasi trupat tokësore izraelite pretenduan se kishin vënë zonën në kontroll.

Izraeli nisi sulmin e tij në Gaza duke u zotuar të shkatërrojë Hamasin pas sulmit të grupit në jug të Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë rreth 1,200 veta dhe 250 u morën peng. Besohet se Hamasi ende mban rreth 100 pengje, si dhe trupat e 30 të tjerëve, pasi pjesa tjetër u lirua gjatë një armëpushimi vitin e kaluar.

Më shumë se 31,800 palestinezë janë vrarë që atëherë sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. Pjesa më e madhe e Gazës veriore është rrafshuar me tokën dhe punonjësit humanitarë ndërkombëtarë paralajmëruan të hënën se 70 për qind e banorëve atje po përjetojnë uri katastrofike.

Kaosi në veri shpërtheu pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti vendosmërinë e tij për të pushtuar qytetin më jugor të Gazës, Rafah, një nga qytetet e fundit të mëdha, që nuk u vu në shënjestër nga një sulm tokësor.

Në një bisedë telefonike të hënën, presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi kryeministrit Netanyahu të mos ndërmarr një operacion në Rafah, duke kërkuar "një qasje alternative".

SHBA-ja, aleati më i ngushtë i Izraelit, ka shprehur shqetësimin për sulmin e mundshëm në Rafah, ku janë grumbulluar rreth 1.4 milionë banorë nga e gjithë Gaza. Zyrtarët e OKB-së kanë paralajmëruar për pasojat e rënda në mesin e civilëve dhe bllokimin e mundshëm të përpjekjeve për të dërguar ndihma humanitare, nëse trupat hyjnë në Rafah.

Kryeministri Netanyahu u pajtua të dërgojë një ekip zyrtarësh izraelitë në Uashington për të diskutuar çështjen me zyrtarët e administratës së presidentit Biden.

Por të martën, ai i tha një komisioni parlamentar se ndërsa do të dëgjonte propozimet e SHBA-së "nga respekti” për presidentin Biden, "ne jemi të vendosur të eliminojmë batalionet (e Hamasit) në Rafah dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta bërë këtë, pa një ndërhyrje tokësore”.

XS
SM
MD
LG