Lidhje

Ishujt e Paqësorit përparim drejt konservimit të deteve 


Ishujt e Paqësorit
Ishujt e Paqësorit

Takimi i nivelit të lartë i OKB-së për klimën mbylli punimet në dhjetor në Dubai, të Emirateve të Bashkuara Arabe. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jessica Stone njofton se që nga ajo kohë, Ishujt e Paqësorit po punojnë për të vënë në zbatim fondin e ri prej 500 milionë dollarësh për mbrojtjen nga ndryshimi klimatik.

Ishujt e Paqësorit përparim drejt konservimit të deteve 
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Shkencëtarët thonë se disa nga bregdetet më të rrezikuara të planetit gjenden në ishujt Niue, në oqeanin Paqësor. Po kështu edhe Ishujt Marshall, Mikronezia, Maldivet dhe Palaui.

Së toku, ato janë në vijën e parë të frontit në betejën kundër ndryshimit klimatik.

“Si shtete oqeanike, ne themi se mbrojtja e oqeaneve është një komponent i rëndësishëm pasi ato shërbejnë për përthithjen e karbonit. Çdo frymë që marrim vjen falë detit”, thotë Surangel Whipps Jr., president i Palauit.

Ai shton se konservimi i detit ka qenë prej kohësh mënyrë jetese për ata që jetojnë në Ishujt e Paqësorit.

Ministri i Mjedisit i Palauit, Steven Victor përmend shembuj nga vitet ’90-të.

“Peshkatarët dhe krerët e fiseve u mblodhën së bashku dhe caktuan zonat në të cilat duhej të ndërpritej peshkimi, për t’u dhënë mundësinë të rimëkëmbeshin”, thotë zoti Victor.

Gjatë takimit të nivelit të lartë të OKB-së për klimën, COP 28, vendet e Ishujve të Paqësorit shpallën Iniciativën për Begatinë e Paqësorit Blu dhe mblodhën 228 milionë dollarë, për një fond të përgjithshëm prej 500 milionë dollarësh për të konservuar 30% të oqeanit.

Programi “Detet e Pastra” i National Geographic po ndihmon tashmë Palauin të krijojë një zonë të mbrojtur detare dhe është gati të ndihmojë edhe vende të tjera të Paqësorit, thotë ideatori i këtij programi Enric Sala.

“Do të jemi aty për shumë kohë, për t’u siguruar që zonat e mbrojtura janë ngritur siç duhet, gjenden ku duhet dhe që të japin rezultate sa më të mëdha në të mirë të banorëve vendas dhe planetit”, thotë zoti Sala.

Ministri Victor thotë se shpreson që programi “Detet e Pastra” të nxjerrë në pah burimet në detet e thella të Palauit, për të cilat njohuritë e popullsisë indigjene nuk janë aq të zgjeruara.

“Na ndihmon të kuptojmë përse peshqit, në veçanti ata përtej shelfit kontinental, përdorin një zonë të caktuar në oqean për t’u mbledhur”, thotë ai.

Zoti Sala thotë se qarkimi i zonave jetike të peshkimit është një mënyrë e sprovuar për t’i rigjallëruar ato brenda 5 – 10 viteve dhe se objektivi më afatgjatë është ngadalësimi i ngrohjes globale.

“Planktonet në oqean janë alga mikroskopike dhe bakterie që jetojnë larg brigjeve. Ato përthithin çerekun e ndotjeve me dioksid karboni që prodhojmë çdo vit”, thotë ai.

Dhe presidenti i Palauit thotë se është një objektiv që përfaqëson një investim, jo vetëm për rajonin, por edhe për botën.

“Objektivi ynë i parë është të arrijmë në 500 milionë. Do të doja ta shihja fondin të rritej në 2 miliardë – janë 15 vende”, thotë presidenti Whipps.

Pesëmbëdhjetë vende që dëshirojnë të mbrojnë me dëshpërim burimet e tyre të çmuara natyrore.

XS
SM
MD
LG