Lidhje

Misioni i sondës “Odysseus” në Hënë 


This image provided by Intuitive Machines shows a broken landing leg on the Odysseus lander.
This image provided by Intuitive Machines shows a broken landing leg on the Odysseus lander.

Sonda “Odysseus” (Odisea), që zbriti në Hënë më 22 shkurt ka dërguar në tokë imazhe, pavarësisht se ndodhet në një pozicion të pjerrët në sipërfaqen e Hënës. Me këtë mision Shtetet e Bashkuara kthehen në sipërfaqen e Hënës pas më shumë se 50 viteve. Sonda e një kompanie private është duke kryer eksperimente për agjencinë amerikane të hapësirës, NASA.

Misioni i sondës “Odysseus” në Hënë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:26 0:00

Kompania amerikane “Intuitive Machines” ka publikuar imazhe të zonave të paeksploruarua të Hënës, të dërguara nga sonda e saj “Odysseus”.

Sonda zbriti rreth 1.5 kilometra larg objektivit të saj, kraterit “Malapert A”, i cili ndodhet rreth 300 kilometra nga poli jugor i Hënës. Megjithatë, gjatë zbritjes, njëra nga gjashtë këmbët e sondës ngeci në sipërfaqen e Hënës, duke bërë që ajo të qëndrojë në një pozicion të pjerrët. Kjo e ka vështirësuar komunikimin me tokën dhe aftësitë e saj për të prodhuar energji përmes paneleve diellore.

Megjithatë, Zëvendës Presidenti për Kërkime dhe Zhvillim në kompaninë “Intuitive Machines”, Tim Crain, e quajti uljen e sondës në Hënë "një përparim të natyrshëm" të njerëzimit në përpjekjet për eskplorimin e sistemit tonë diellor.

"Ne të gjithë fluturojmë me aeroplanë sot dhe nuk mendojmë dy herë për këtë. Por aeroplanët e parë ishin një metodë e re dhe nganjëherë shumë e rrezikshme e transportit. E njejta gjë mund të ndodhë edhe me eksplorimin e hapësirës, përfshirë udhëtimet në Hënë, që mund të përmirësohen me kontributin e kompanive private. Ne mendojmë se ky është hapi i parë në këtë drejtim", thotë ai.

Sipas NASA-s, sonda përfundoi në një krater të vogël, të degraduar me një pjerrësi prej 12 gradësh. Kjo është hera e parë që një anije hapësinore zbret kaq afër polit jugor të Hënës, një zonë me interes për shkak të dyshimeve për prani të ujit të ngrirë në krateret nën hije të përhershme atje.

NASA, e cila planifikon të dërgojë astronautë në këtë rajon të Hënës në vitet e ardhshme, pagoi kompaninë “Intuitive Machines” 118 milionë dollarë për të kryer gjashtë eksperimente.

Klientë të tjerë gjithashtu kanë pajisje në bordin e sondës amerikane.

Profesori i inxhinierisë mekanike në Institutin e Teknologjisë Stevens në Hoboken të Nju Xhersit, Jason Rabinovitch thotë se hapësira është një mjedis "shumë sfidues".

“Zbritja në Hënë, Mars apo në një vend tjetër të hapësirës është sfiduese. Hapësira është plot sfida. Është një mjedis shumë ekstrem sepse gjatë uljes mund të përballeni me rreziqe të ndryshme si rrokullisja dhe probleme me orientimin e anijes hapësinore. Pra, ka shumë sfida, të cilat nëse nuk tejkalohen mund t’i japin fund një misioni hapësinor", thotë zoti Rabinoviç, i cili ka punuar në misionin e dërgimit në Mars të sondës “Perseverance” në 2020.

Pavarësisht zbritjes së sondës “Odysseus” në një pozicion të pjerrët, “Intuitive Machines” u bë kompania e parë private që bëhet pjesë e një grupi elitar të entiteve që kanë dërguar sonda në Hënë.

Një kompani tjetër amerikane, “Astrobotic Technology”, e provoi këtë në janar, por nuk arriti në Hënë për shkak të një rrjedhjeje karburanti në sondën e saj.

Dymbëdhjetë astronautë kanë zbritur në Hënë nga viti 1969 deri në vitin 1972, në kuadër të programit amerikan “Apollo” për eksplorimin e Hënës.

Që nga vitet 1960, vetëm Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, India dhe Japonia kanë arritur sukses në dërgimin e sondave në Hënë. Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë arritur me sukses të dërgojnë astronautë në Hënë.

Kompanitë amerikane “Intuitive Machines” dhe “Astrobotic Technology” kanë kontrata të tjera me agjencinë amerikane të hapësirës për misione eksplorimi në Hënë.

XS
SM
MD
LG