Lidhje

 
Të paktën katër të vdekur nga zjarri në një ndërtesë apartamentesh në Spanjë

Të paktën katër të vdekur nga zjarri në një ndërtesë apartamentesh në Spanjë


Autoritetet spanjolle thanë se të paktën katër veta humbën jetën nga pasojat e një zjarri që përfshiu një ndërtesë apartamentesh në Valencia në Spanjën lindore dhe deri 14 llogariten të zhdukur.

Kryebashkiakja e Valencias, Maria Jose Catala, u tha gazetarëve se zjarrfikësit arritën të konfirmojnë se katër persona kanë vdekur. Pesëmbëdhjetë persona mbetën të plagosur, gjashtë prej tyre zjarrfikës, por jeta e tyre nuk është në rrezik.

Zjarrfikësit po inspektojnë ndërtesën me vinça dhe dronë për të vlerësuar rrezikun e shembjes së saj përpara se të hyjnë brenda, tha zonja Catala.

Pamjet televizive shfaqën fasadën e ndërtesës ndërsa digjej gjatë natës, me segmente të djegura që binin në trotuar dhe shpërthime të vogla që dëgjoheshin brenda. Dëshmitarët thanë se zjarri, i nxitur edhe erërat e forta, u përhap në gjithë ndërtesën brenda një gjysmë ore.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u nis për në vendin e ngjarjes pasi shprehu mbështetjen për të prekurit dhe përgëzoi zjarrfikësit.

Zjarri filloi të enjten në mbrëmje në katin e katërt të ndërtesës në një lagje të pasur të qytetit të tretë më të madh të Spanjës dhe u përhap në apartamente të tjera, thanë shërbimet e urgjencës në rrjetin X.

Qyteti shpalli tre ditë zie dhe pezulloi fillimin e një festivali vjetor.

XS
SM
MD
LG