Lidhje

Projekt-rezoluta e propozuar nga SHBA për Gazën, tregon ashpërsimin e qëndrimit ndaj Izraelit


Të martën Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të mbështetur nga vendet arabe, që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë. Është hera e tretë që SHBA bllokon një projekt-rezolutë të tillë.

Por këtë herë Uashingtoni propozoi një variant tjetër që bën thirrje për një armëpushim të përkohshëm dhe kundërshton një ofensivë tokësore izraelite në Rafah, pa masa për mbrojtjen e civilëve.

Ky është mjeti më i fortë deri tani që Presidenti Joe Biden e ka përdorur ndaj Izraelit, gjë që siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, është një shenjë e humbjes së durimit nga ana e tij me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Projekt-rezoluta e propozuar nga SHBA për Gazën, tregon ashpërsimin e qëndrimit ndaj Izraelit
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:43 0:00

Izraeli po vazhdon sulmet në Rafah, qytetin jugor të Gazës pranë kufirit me Egjiptin, ku mbi një milionë palestinezë të zhvendosur nga lufta kërkojnë të gjejnë siguri.

Fati i tyre u diskutua nga diplomatë në Nju Jork, ku të martën Shtetet e Bashkuara vendosën përsëri veton ndaj një projekt-rezolute të OKB-së të mbështetur nga vendet arabe, që kërkon një armëpushim të menjëhershëm në Gazë.

Kjo është vetoja e tretë amerikane që nga operacioni ushtarak i Izraelit në enklavën palestineze, që pasoi sulmin e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.

I dërguari palestinez në OKB, Riyad Mansour e quajti këtë veprim “të pamatur dhe të rrezikshëm”.

“Duke mbrojtur Izraelin edhe kur kryen krimet më tronditëse, miliona civilë të pafajshëm palestinezë ekspozohen ndaj një tërbimi dhe tmerri të paparë. Nuk është Izraeli ai që duhet të mbrohet me veto. Janë fëmijët, gratë dhe burrat palestinezë ata që duhet të mbrohen nga ky këshill duke vepruar tani”, thotë zoti Mansour.

Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan tha se fjala “armëpushim” po përmendej sikur të ishte “një zgjidhje magjike” e konfliktit.

"Çfarë do të arrihej saktësisht me këtë armëpushim me një plumb argjendi? Armëpushimi arrin vetëm një gjë – mbijetesën e Hamasit”, tha zoti Erdan.

Shtetet e Bashkuara propozuan projekt-rezolutën e vet që kërkon një armëpushim të përkoshëm në Gazë, deri në gjashtë javë, vetëm pasi të arrihet një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për lirimin e pengjeve. Shtetet e Bashkuara po angazhohen në këtë drejtim me Egjiptin dhe Katarin.

Propozimi amerikan dënon sulmin e 7 tetorit dhe e bën të qartë se Hamasi nuk ka vend në qeverisjen e ardhshme të Gazës.

“Përveç kësaj, varianti ynë thotë se nuk mund të ketë reduktim të territorit në Rripin e Gazës dhe refuzon, siç kemi ofruar në Rezolutën 2720, çdo zhvendosje të detyruar të civilëve në Gazë. Propozimi nënvizon po ashtu shqetësimet e shumë anëtarëve të këshillit lidhur me fatin e civilëve në Rafah, duke e bërë të qartë se në rethanat aktuale, nuk duhet të ketë një ofensivë të madhe tokësore në Rafah”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Skeptikët e shohin rezolutën e Shteteve të Bashkuara si një dredhi diplomatike që do të zgjaste vuajtjet e palestinezëve.

Izraeli ka paralajmëruar se nëse Hamasi nuk liron të gjitha pengjet deri në fillim të Ramazanit më 10 mars, ushtria e tij do të vazhdojë një ofensivë tokësore në Rafah.

"Çdo ditë ka kërcënime dhe deklarata. Nuk dimë nga të shkojmë”, thotë një palestinez në Rafah.

Megjithatë, rezoluta e Shteteve të Bashkuara tregon qëndrimin e ashpërsuar të Uashingtonit ndaj luftës së Izraelit.

“Kjo është hera e parë që Shtetet e Bashkuara propozojnë një rezolutë që përfshin disa kritika mjaft të forta të nënkuptuara ndaj fushatës së Izraelit në Gazë dhe situatës në Bregun Perëndimor. Mendoj se aministrata e Presidentit Biden mund të jetë duke dërguar një sinjal se do të vazhdojë të mbrojë Izraelin në OKB, por se durimi nuk është i pakufishëm”, thotë Richard Gowan nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se nuk do të dorëzohet para trysnisë ndërkombëtare. Këtë javë kabineti i tij i luftës do të takohet me këshilltarin më të lartë të Presidentit Biden, Brett McGurk, i cili do të kërkojë nga Izraeli arritjen e marrëveshjes për pengjet dhe të tërhiqet nga një fushatë tokësore në Rafah.

XS
SM
MD
LG