Lidhje

Rritet shqetësimi për sulmet e kolonëve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor


Palestinezët në Bregun Perëndimor thonë se që nga sulmi i Hamasit me 7 tetor në Izrael, ka patur një rritje të madhe të sulmeve të kolonëve izraelitë ndaj tyre me synim largimin e palestinezëve nga shtëpitë e tyre.

Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein nga Bregu Perëndimor, një këshill i kolonëve izraelitë i mohon këto akuza, duke thënë se numri i incidenteve ka shënuar rënie.

Sullmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:15 0:00

Përplasjet e dhunshme mes kolonëve izraelitë dhe palestinezëve në Bregun Perëndimor janë intensifikuar gjatë vitit të fundit nën pushtetin e qeverisë së Izraelit, e cila drejtohet nga partitë e krahut të djathtë. Sipas agjencisë së OKB-së për të drejtat e njeriut, incidentet u dyfishuan pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi në Izrael dhe lufta në Rripin e Gazës që pasoi këtë sulm. Fermerët palestinezë thonë se shumë kolonë izraelitë u pajisën me armë nga qeveria dhe po veprojnë si forcë e sigurisë.

“Është një gjendje e tmerrshme. Ishte keq edhe më parë, por tani gjendja është përkeqësuar më tej. Nuk kemi qenë në gjendje të shkojmë në fushat tona për shkak të luftës. Nuk kemi arritur të vjelim ullinjtë sepse kolonët na qëllojnë me armë. Të korrat janë dëmtuar”, thotë fermeri palestinez Farid al-Jabour.

Zona C, që përfshinë 60 për qind të Bregut Perëndimor, kontrollohet plotësisht nga Izraeli. Në këtë zonë janë ndërtuar të gjitha vendbanimet për kolonët izraelitë, të cilat, sipas ligjit ndërkombëtar, janë të paligjshme.

Zyrtarët e vijës së ashpër në qeverinë izraelite për një kohë të gjatë kanë bërë përpjekje për ta aneksuar këtë zonë dhe kanë ushtruar trysni mbi palestinezët që të zhvendosen në zonat nën kontrollin e Autoritetit Palestinez.

Sipas organizatës izraelite për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “B’Tselem”, që nga 7 tetori, 16 komunitete palestineze janë detyruar të largohen nga Zona C për shkak të sulmeve nga kolonët izraelitë.

“Kemi patur probleme me kolonët edhe më parë, por pas fillimit të luftës në Rripin e Gazës, ata madje duan të na vrasin”, thotë palestinezi i zhvendosur nga Zona C, Raked al-Te.

Kolonët izraelitë thonë se ndonëse sulmet palestineze ndaj izraelitëve në vitin 2023 kishin arritur në nivelin më të lartë në 20 vjet, sulmet e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve kanë shënuar rënie.

“Ushtria izraelite ka cituar raportet e policisë, sipas të cilave, pas sulmit të 7 tetorit, veprimet e dhunshme të kryera nga kolonët izraelitë në Jude dhe Samari, në fakt, kanë rënë me rreth 50 për qind në muajin tetor dhe sërish me 50 për qind në muajin nëntor. Kështu që, statistikat nuk mbështesin pretendimet e atyre që thonë se ka patur një rritje të sulmeve të dhunshme nga kolonët izraelitë”, thotë Josh Hasten, zëdhënës i kolonëve në Bregun Perëndimor.

Ky pretendim është kundërshtuar nga vullnetarët izraelitë dhe ata ndërkombëtarë, të cilët mbështesin dhe mbrojnë palestinezët në kodrat e Hebronit Jugor nga sulmet e kolonëve.

“Pas sulmit tronditës të 7 tetorit, ka patur një sistem sulmesh të dhunshme në Zonën C, të cilat u ngjanin sulmeve hakmarrëse. Kjo gjithashtu është parë nga kolonët si një mundësi për t’i dëbuar palestinezët. Pothuaj çdo fshat në Zonën C, ka përjetuar të paktën një sulm të dhunshëm. Shumë prej këtyre sulmeve kanë ndodhur më 7 tetor”, thotë Bill Slott, aktivist izraelit i mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë kanë shprehur gjithashtu shqetësimin për njoftimet mbi rritjen e dhunës së kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve.

Ata madje kanë marrë masa të pashembullta, duke vendosur sanksione ndaj të paktën katër kolonëve izraelitë, të cilët akuzohen për kryerje të veprimeve të dhunshme ndaj palestinezëve.

XS
SM
MD
LG