Lidhje

Rifillojnë protestat në Serbi – opozita kërkon anulimin e zgjedhjeve të diskutueshme


Kundërshtarët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç u mblodhën të premten në mbrëmje jashtë ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që zgjedhjet e muajit të kaluar të anulohen për shkak të parregullsive në shkallë të gjerë, që u raportuan nga vëzhgues lokal dhe ndërkombëtarë.

Grupi “Serbia kundër dhunës”, ka akuzuar qeverinë e presidentit Vuçiç për organizimin e një mashtrimi në votimet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit, veçanërisht në Beograd, kryeqytetin serb. Presidenti Vuçiç i ka mohuar akuzat.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka shpallur Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiçit fituese të zgjedhjeve dhe ka hedhur poshtë ankesat e opozitës. Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur ende për ankesat.

Politikani i opozitës Radomir Lazoviç tha se "kjo është një betejë e të gjithëve sepse të gjithë humbasin me këtë (keqpërdorim votash)”.

Rreth 2,000 protestues parakaluan gjithashtu drejt selisë së transmetuesit publik të Serbisë RTS, të cilin ata e akuzojnë për qëndrime pro qeveritare.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve raportuan raste të blerjes së votave dhe mbushjes së kutive të votimit dhe thanë se zgjedhjet serbe përgjithësisht u mbajtën në "kushte të padrejta".

Partitë e opozitës dhe vëzhguesit e pavarur lokalë të zgjedhjeve kanë pohuar se votuesit u dërguan me autobus në Beograd për të hedhur votat për partinë në pushtet, pasi u regjistruan në adresa false.

Mijëra veta protestuan për ditë të tëra në fund të dhjetorit, duke akuzuar presidentin Vuçiç për vjedhje votash. Policia përdori gaz lotsjellës dhe arrestoi dhjetëra veta pasi protestuesit u përpoqën të hynin në bashkinë e Beogradit në një nga demonstratat.

Megjithëse presidenti Vuçiç thotë se dëshiron ta udhëheqë Serbinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kritikët e akuzojnë udhëheqësin populist për imponimin e një autokracie duke marrë kontrollin mbi mediat kryesore dhe mbi të gjitha institucionet shtetërore.

Serbia duhet të forcojë sundimin e ligjit dhe liritë demokratike për t’u bërë anëtare e bllokut 27-vendesh.

XS
SM
MD
LG