Lidhje

OKB, vendet perëndimore kritika Kinës për gjendjen e të drejtave të njeriut


Gjatë seancës në Gjenevë për shqyrtimin e të drejtave të njeriut në Kinë (23 janar 2024)
Gjatë seancës në Gjenevë për shqyrtimin e të drejtave të njeriut në Kinë (23 janar 2024)

Gjendja e të drejtave të njeriut në Kinë u shqyrtua të martën gjatë një takimi të rëndësishëm të OKB-së në Gjenevë, ku vendet perëndimore i bënë thirrje Kinës të heqë masat ndaj ujgurëve dhe minoriteteve, si dhe për më shumë liri për banorët e Hong Kongut. Ky është shqyrtimi i parë i OKB-së që kur zyrtarët e të drejtave të njeriut publikuan në vitin 2022 raportin për mbajtjen me forcë në Kinë të ujgurëve dhe komuniteteve të tjera myslimane, që mund të përbëjë edhe krime ndaj njerëzimit. Kina i mohon këto akuza.

OKB, vendet perëndimore kritika Kinës për gjendjen e të drejtave të njeriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:45 0:00

Vendet perëndimore kritikuan gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë gjatë një seance të mbajtur të martën në Zvicër për të shqyrtuar këtë situatë.

Vendet anëtare të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) i kërkuan Pekinit ndër të tjera të bëjë më shumë për të lejuar lirinë e shprehjes, për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve dhe për të anuluar ligjin për sigurinë në Hong Kong që kritikohet nga aktivistët e pavarur.

Ambasadori i Kinës në Gjenevë, Chen Xu, kryesoi një delegacion të rreth 20 ministrive kineze për të marrë pjesë në këtë seancë.

Ai theksoi përparimin e Kinës për eliminimin e varfërisë, tha se qytetarët angazhohen në “zgjedhje demokratike”, dhe se liria e besimit është e garantuar.

Ambasadori kinez Chen Xu (djathtas)
Ambasadori kinez Chen Xu (djathtas)

“Kina e konsideron respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut si një pjesë të rëndësishme të qeverisjes së shtetit. Kina ndjek drejtimin e zhvillimit të të drejtave të njeriut që u përshtatet prirjeve të kohës sonë dhe pozicionit ndërkombëtar të Kinës dhe ka bërë arritje historike në këtë proces. Kemi një filozofi me njerëzit në epiqendër dhe përpiqemi t’u japim atyre një jetë më të mirë”, tha ambasadori kinez.

Procesi në OKB është konceptuar që të inkurajojë më shumë rekomandimet pozitive, por në këtë seancë pati komente të forta për Kinën nga vendet perëndimore.

“Kanadaja sugjeron që Kina të zbatojë rekomandimet e Komitetit për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, të Komitetit për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave, si dhe për heqjen e masave të vendosura ndaj ujgurëve, tibetianëve dhe minoriteteve të tjera, si puna e detyruar, sterilizimi i detyruar dhe futja e detyruar në shkolla me konvikt”, tha ambasadorja kanadeze Leslie Norton.

Kinës iu kërkua të ndalë gjithashtu shtypjen e të drejtave të popullsisë në Hong Kong.

“Hiqni Ligjin e Sigurisë për Hong Kongun që injoron të drejtat dhe liritë themelore dhe jepuni fund sulmeve ndaj juristëve të të drejtave të njeriut dhe gazetarëve. Ndalni rrëmbimet dhe frikësimin e shtetasve kinezë që jetojnë në vende të tjera”, tha ambasadori çek Vaclav Balek.

Një numër jashtëzakonisht i lartë vendesh, mbi 160 vende – disa kritike ndaj Pekinit dhe disa aleatë – u regjistruan për të marrë pjesë në këto diskutime.

Kjo do të thotë se çdo vend kishte një maksimum prej 45 sekondash për të folur, duke i detyruar kështu shumë prej ambasadorëve që të flisnin me shpejtësi të madhe.

Delegacionit të Kinës iu dhanë 70 minuta për të paraqitur argumentet e tyre.

XS
SM
MD
LG