Lidhje

Kosovë, një çerek shekulli nga masakra e Reçakut


Mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999 forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimes, rreth 30 kilometra në jug të Prishtinës. 25 vjet më pas qindra njerëz u mblodhën në këtë fshat në nderim të 45 të vrarëve dhe në mbështetje të familjarëve të tyre, të cilët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Minire Bilalli
Minire Bilalli

“Çka të kujtoj? Tmerr.. por jam krenare që e kam pasur, m’i ka lënë fëmijët, i kam martuar të katërtit, mirë janë. Drejtësia nuk është vënë kurrë në vend, t’kishin dalur para drejtësisë ishim lehtësuar, po mbahen ata që nuk kanë bërë krime e këta po sillen të lirë”, thotë Minirja, bashkëshortja e Lutfi Bilallit, i vrarë nga forcat serbe.

Fatime Rizani
Fatime Rizani

“Neve asgjë nuk na lehtëson por kur të mendoj nëse e kemi një drejtësi na lehtëson pak, por e njëjta dhimbje gjithherë. Gjithherë njësoj, kushedi sa vite të jetojmë kjo nuk harrohet se kanë bërë krime të mëdha”, thotë Fatime Rizani, bija e Hajriz Brahimit i vrarë nga forcat serbe.

“Unë vetëm të flas për ditën e 15 janarit trishtohem se çfarë kemi përjetuar e parë dhe çfarë tmerri ka qenë, jo vetëm për mua por për të gjitha familjet e fshatit që kemi qenë në këtë stres, në këtë tmerr. Por kemi pasur punë me një armik të keq, i cili me civil ka bërë lojëra të tilla dhe sot pas 25 viteve ende nuk e pranon çfarë ka bërë as këtu as në asnjë vend tjetër”, thotë Aziz Beqiri, banor i fshatit Reçak.

Kosovë, një çerek shekulli nga masakra e Reçakut
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:04 0:00

Ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, i cili 25 vjet më parë e cilësoi ngjarjen si krim kundër njerëzimit, foli sot në një ceremoni përkujtimore mbi rëndësinë e njohjes të së vërtetës dhe përcjelljes së saj te gjeneratat e reja.

“Kam ardhur sot siç vij këtu tash e 25 vjet, për të parë se çfarë ka mbetur nga ajo kujtesë në mesin e të rinjve që janë nën moshën 25 vjeçare e 30 vjeçare, të cilët mendoj se përbëjnë 30 për qind të popullsisë. Këta të rinj nuk kanë kujtesë të veten se si ishte jeta në Kosovë nën diktatin e (ish presidentit serb Slobodan) Millosheviqit dhe qeverisë në Beograd. Për mua Reçaku përfaqëson një kthesë, një lëvizje, për mua sot përfaqëson atë që Kosova ka arritur të bëjë që nga viti 2008", tha ai.

William Walker
William Walker

Masakra e Reçakut në vitin 1999, shënoi fillimin e një procesi diplomatik për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, e cila u përmbyll më ndërhyrjen e NATO-s.

Autoritetet serbe përfshirë edhe presidentin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb Slobodan Millosheviç, shpesh kanë theksuar se masakra e Reçakut është fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

“Faktet janë më të fuqishme sesa propaganda e vazhdueshme serbe, e vërteta është gjithnjë më e fuqishme sesa gënjeshtra, prandaj për Reçakun ka vetëm një të vërtetë – me 1999 civilët janë vrarë mizorisht nga një regjim gjenocidal, regjimi i Millosheviqit. Kjo e vërtetë ishte atëherë, kjo e vërtetë është sot dhe do të mbetet përherë e tillë në analet e historisë pavarësisht se sa tenton ta mohojë regjimi vazhdimësi i Millosheviqit – ai i Vuçiç-it”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Me 15 janar këtu në fshatin Reçak forcat policore serbe i vranë 45 civil shqiptarë, në mesin e tyre më i riu ishte Halil Beqiri 14 vjeçar kurse më i moshuari Avdyl Sejdiu 99 vjeçar. Moshat e tyre si mosha kufitare mes të vrarëve të kësaj masakre tregojnë për viktimat dhe natyrën e këtij krimi të kryer gjatë luftës. 25 vite më parë Serbia aktivizoi tërë aparatin shtetëror, nga ushtria te mjekësia ligjore, nga mediat te propaganda shtetërore, për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut, për ta fshehur krimin dhe për t’i mbrojtur kryesit dhe urdhërdhënësit”, tha kryeministri Kurti.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, përkujtoi përvjetorin e masakrës së Recakut duke cituar Martin Luther Kingun, se “padrejtësia kudo është kërcënim për drejtësinë diku tjetër”, duke bërë thirrje që të mos lejohet të mohohet ajo çfarë ndodhi në këtë fshat.

XS
SM
MD
LG