Lidhje

Kuba arreston gazetarin e ‘Radio Marti’


Oscar Elias Biscet
Oscar Elias Biscet

Një bashkëpunëtor i ‘Radio Marti” u arrestua të martën në mëngjes në Havanë nga autoritetet, thuhet në një deklaratë të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) e cila mbikëqyr transmetimet globale të financuara nga Kongresi amerikan.

Oscar Elias Biscet, një bashkëpunëtor i ‘Radio Marti’, u arrestua nga autoritetet kubaneze ndërsa po dilte nga shtëpia e tij në Havanë dhe po mbahet pa shpjegime, thuhet në deklaratë.

Ashtu si Zëri i Amerikës, Radio Marti financohet nga Kongresi amerikan dhe gëzon pavarësi editoriale.

Sylvia Rosabal, drejtore e Zyrës së Transmetimeve për Kubën, e cila mbikëqyr ‘Radio Marti’, e dënoi arrestimin e gazetarit Biscet dhe bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm. Ajo tha përmes një deklarate se arrestimi ishte “një përpjekje e dukshme për të heshtur mbulimin e të drejtave të njeriut në Kubë”. “Kjo shkelje nga zyrtarët kubanezë duhet të konsiderohet një paralajmërim për këdo që guxon të shprehë shqetësimin për të drejtat e të gjithë njerëzve”, vazhdoi ajo.

Konsullata e Kubës në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

I njohur për mbulimin e të drejtave të njeriut

I nderuar me Medaljen e Lirisë nga Presidenti Bush në vitin 2007, zoti Biscet njihet për mbulimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën dhe në Kubë. Ai është burgosur disa herë në të kaluarën.

Pas dënimit me 25 vjet burgim, nën akuzat se kishte punuar me Shtetet e Bashkuara për të përmbysur qeverinë e Kubës, ai kaloi gati një dekadë në qeli përpara se të lirohej në vitin 2011 si rezultat i trysnisë ndërkombëtare.

Arrestimi i tij i fundit përkon me takimin vjetor të Projektit Emilia, një fushatë e themeluar nga zoti Biscet për të nxitur demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kubë. Ai u arrestua një vit më parë, pak para takimit të Projektit Emilia.

Pavarësisht nga rreziqet e njëpasnjëshme për sigurinë e tij, zoti Biscet ka refuzuar të largohet nga Kuba. Kuba renditet në vendin e 172 për sa i përket lirisë së shtypit, sipas Organizatës Gazetarët pa Kufij.

XS
SM
MD
LG