Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Serbisë që zyrtarisht të njohin targat e makinave të njëra tjetrës dhe të heqin plotësisht përdorimin e letrave ngjitëse, me të cilat mbuloheshin simbolet shtetërore.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha në një deklaratë se vendimet janë “hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe të zotimeve që morën në të kaluarën në kuadër të bisedimeve që lidhen me lëvizjen e lirë”.
Në deklaratë thuhet po ashtu se vendimi i qeverive në Kosovë dhe Serbi për çështjen e targave “dëshmon se përparimi në çuarjen përpara të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur dhe vë në pah rëndësinë e vazhdimit të punës në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja”.
“Ky vendim po ashtu paraqet hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili përfitojnë qytetarët e rajonit”, thuhet në deklaratën e zotit Borrell.
Me 4 janar qeveria e Kosovës miratoi vendimin për largimin e regjimit të letër ngjitëseve për makinat me targa të Serbisë, vetëm pak ditë pasi Serbi mori vendimin e ngjashëm për makinat me targa të Kosovës.
Në njoftimin e qeverisë së Kosovës thuhej se “heqja e regjimit të letër ngjitëseve është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.
Me 25 dhjetor Beogradi vendosi të lejojë lëvizjen e makinave me targa të Kosovës duke vendosur afishe në vendkalimet kufitare në të cilat thuhet se mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së "Kosovës".
Njohja e ndërsjellë e targave duket se i dha fund një çështjeje që çoi në tensione të larta ndërmjet të dyja vendeve.
Marrëveshja fillestare për përdorimin e targave të makinave ishte arritur ne fund të viti 2011, por zbatimi i saj në terren u pamundësua për shkak të mospajtimeve, meqë Beogradi nuk pajtohej me targat e Kosovës me mbishkrimin RKS.
Mbulimi i simboleve të Serbisë dhe të Kosovës në targat e makinave ishte pjesë e një marrëveshjeje të përkohshme të arritur më 30 shtator të vitit 2021 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pas tensioneve në veriun e Kosovës që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë që të mos lejojë lëvizjen e makinave me targa të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.
Përplasjet rreth targave çuan në largimin e përfaqësuesve serbë në veri nga të gjitha institucionet e Kosovës, dhe thellimin e tensioneve që kulmuan me 24 shtator kur një polic u vra në një sulm të organizuar nga një grup serbësh të armatosur në veri.
Sulmi u pasua nga përpjekje të reja perëndimore për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon.