Kreu i grupit të armatosur të Hezbollahut në Liban tha të mërkurën se vrasja nga Izraeli e zëvendës-shefit të Hamasit në Bejrut ishte "një krim i madh dhe i rrezikshëm për të cilin ne nuk mund të heshtim".
Në një fjalim televiziv, Sayyed Hassan Nasrallah i ofroi ngushëllimet e tij Hamasit, duke thënë se vrasja e zyrtarit të lartë të tij, Saleh al-Arouri të martën ishte një "agresion flagrant izraelit".
Sipas analistëve sulmi i së martës në lagjen jugore të Bejrutit, Dahiyeh, mund të jetë një mesazh nga Izraeli për Hezbollahun se edhe baza e tij kryesore atje mund të goditet.
Ky ishte sulmi i parë në Bejrut pas gati tre muajsh shkëmbimesh zjarri gati të përditshme midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut, që kanë qenë të kufizuara përgjatë rajonit kufitar.
Hezbollahu lëshoi raketa përtej kufirit më 8 tetor në mbështetje të Hamasit, i cili kishte kryer një sulm vdekjeprurës në jug të Izraelit një ditë më parë, që shkaktoi një fushatë të ashpër bombardimi nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës.
Hezbollahu, i themeluar nga Garda Revolucionare e Iranit në 1982, është maja e shtizës së një aleance armiqësore ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, që mbështetet nga Teherani. Militantët e kësaj organizate zhvilluan një luftë njëmujore kundër Izraelit në vitin 2006.
Sayyed Hassan Nasrallah tha se veprimi "i shpejtë" i Hezbollahut më 8 tetor dhe bombardimet ndërkufitare që atëherë kishin parandaluar një fushatë më të gjerë bombardimesh nga Izraeli në Liban.
Ai u zotua se nuk do të kishte "asnjë kufizim" dhe "nuk do të kishte rregulla" në luftimet e grupit të tij, nëse Izraeli do të fillonte një luftë në Liban.
“Kushdo që mendon për luftë me ne, do të pendohet”, tha udhëheqësi i Hezbollahut në Liban, Sayyed Hassan Nasrallah.