Lidhje

Autoriteti Palestinez i gatshëm të rimarrë nën administrim Gazën


Fëmijët palestinezë në Bregun Perëndimor ndjekin kalimin e autokolonës së Sekretarit amerikan të Shtetit
Fëmijët palestinezë në Bregun Perëndimor ndjekin kalimin e autokolonës së Sekretarit amerikan të Shtetit

Ndërsa luftimet vazhdojnë në Gazë, izraelitët dhe palestinezët po mendojnë për hapat që do të ndërmerren pas përfundimit të luftës. Autoriteti Palestinez tha se është i gatshëm të marrë përsipër Gazën. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, Izraeli thotë se Autoriteti Palestinez nuk mund të ketë ndonjë rol në administrimin e ardhshëm të Gazës.

Autoriteti Palestinez i gatshëm të rimarrë nën administrim Gazën
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:16 0:00

Ndërsa luftimet mes Izraelit dhe Hamasit vazhdojnë në Gazë dhe numri i viktimave vazhdon të rritet, komuniteti ndërkombëtar po kërkon gjithnjë e më shumë vendosjen e një armëpushimi. Por, nuk është e qartë se kush do të marrë kontrollin e Gazës dhe të 2.2 milionë banorëve të saj, shumë prej të cilëve jetonin në varfëri që përpara se të fillonte lufta.

“Nuk më duket se ka konsensus as mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe vendeve arabe në rajon dhe komunitetit ndërkombëtar se çfarë duhet bërë me Gazën pas luftës. Kush do ta qeverisë Gazën?”, thotë Mkhaimer Abu Sada, profesor i shkencave politike në Universitetin Al-Azhar, në Gazë.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se do të dëshironte të shikonte një Autoritet Palestinez të rigjallëruar, që do të merrte Gazën nën kontroll pas përfundimit të luftës. Por sipas anketimeve, 80-90% e palestinezëve nuk e mbështesin Autoritetin Palestinez dhe udhëheqësin e saj 88-vjeçar, Mahmoud Abbas. Autoriteti shihet si i korruptuar dhe joefikas në Bregun Perëndimor që e ka nën kontroll dhe se nuk ka kapacitetin për të qeverisur Gazën. Sidoqoftë, disa zyrtarë të Autoritetit Palestinez janë të përgatitur të rikthehen në Gazë, 16 vite pasi Hamasi i largoi me një puç të përgjakshëm.

Gjatë takimit të Këshilltarit amerikan të Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas në Ramallah, Bregu Perëndimor (15 dhjetor 2023)
Gjatë takimit të Këshilltarit amerikan të Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas në Ramallah, Bregu Perëndimor (15 dhjetor 2023)

“Them se është e drejta e Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe e Autoritetit Palestinez që të rikthehet në Rripin e Gazës. A do shkoj unë në Mozambik? Do shkoj në vendin tim dhe tek njerëzit e mi. Dhe edhe nëse shkatërrohet, është përgjegjësia ime. Por, duhet të jetë brenda kuadrit të një vizioni gjithëpërfshirës politik që ka mbështetje në rajon dhe skenën ndërkombëtare”, thotë Hussein Al-Sheikh, sekretar i përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës.

Analistët palestinezë thonë se 17 vite pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, palestinezët duhet të zgjedhin drejtues më të kualifikuar që do t’i bashkonin.

“Komuniteti ndërkombëtar është në kërkim të një administrate që do të ofronte nivele teknokrate qeverisjeje, si shëndetësia, arsimi. Por, kjo nuk prek thelbin – që palestinezët dëshirojnë dhe u nevojitet një udhëheqje legjitime. U duhet një udhëheqje që mund të ngrejë zërin për ta, qoftë edhe nëse bëhet fjalë për në skenën diplomatike. Dhe kjo është diçka që mungon krejtësisht në diskutimet për të ardhmen e pas luftës”, thotë Tahani Mustafa, eksperte për çështjet palestineze në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Egjipti paraqiti rishtazi një propozim për paqe me tre faza: fillimisht me një armëpushim dyjavor dhe lirim të 40 pengjeve izraelite; në vazhdim me formimin e një qeverie teknike palestineze që do të organizonte zgjedhjet dhe në fund me një armëpushim të plotë në këmbim të lirimit të të gjitha pengjeve izraelite dhe të burgosurve paletinezë, si dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza.

Propozimi egjiptian e lë Hamasin të paprekur, diçka që Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë vazhdimisht se është e papranueshme. Disa analistë izraelitë thonë se objektivi për eliminimin e Hamasit nuk është i arritshëm.

“Hamasi është mbi të gjitha një ide, përpara të qenit një organizatë. Dhe Hamasi nuk do të zhduket. Edhe nëse mijëra terroristë të Hamasit dhe udhëheqës politikë do të vriten gjatë luftës, sërish do të kenë dhjetëra mijëra mbështetës në Gazë dhe sigurisht në zona të tjera, si në Bregun Perëndimor”, thotë Michael Milshtein, nga Qendra “Dayan” e Universitetit të Tel Avivit.

Zoti Netanyahu thotë se as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez nuk mund të kenë rol në të ardhmen e Gazës. Por, ai nuk ka paraqitur një plan për të ardhmen e kësaj zone, dhe nuk është e qartë se si Gaza do të qeveriset, apo se si do të rindërtohet.

XS
SM
MD
LG