Lidhje

Prokuroria kërkon arrest shtëpie me mbikqyrje policore për Berishën


Ish kryeministri Sali Berisha
Ish kryeministri Sali Berisha

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme shtyu për nesër seancën e shqyrtimit të kërkesës për masën e arrestit në shtëpi, për ish kryeministrin Sali Berisha. Vendimi erdhi pasi avokatët e ish kryeministrit kërkuan kohë të njihen me aktet e Prokurorisë së Posaçme. Kjo e fundit ka kërkuar që arresti në shtëpi të bëhet nën mbikqyrje policore, gjë e cila sipas avokatit Genc Gjokutaj, nuk parashikohet nga ligji.

Prokuroria kërkon arrest shtëpie me mbikqyrje policore për Berishën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00

Gjykata nuk hezitoi t’i përgjigjej pozitivisht avokatëve të ish kryeministrit Sali Berisha, të cilët deklaruan se kishin nevojë për kohë në mënyrë që të njiheshin me argumentat dhe faktet e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme në mbështetje të kërkesës së tyre për të vendosur në arrest shtëpie ish kryeministrin Sali Berisha.

Paralelisht, shtyrja për nesër i jep kohë edhe gjykatës që të vendosë edhe ndaj kërkesës tjetër të avokatëve për përjashtimin nga procesi të gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas tyre është në konflikt interesi me ish kryeministrin.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që masa shtrënguese ndaj zotit Berisha të zbatohet në banesën e tij, por elementi i ri që u mësua sot, është se arresti do të duhet të realizohet nën mbikqyrje policore. Një kërkesë e cila sipas avokatit Genc Gjokutaj nuk është e mbështetur në ligj: "Paligjshmëria e kërkesës së prokurorëve është se ndryshimi masë së sigurimit është kërkuar me mbikqyrje policore, e pambështetur në ligj, çka tregon qëllimin e Prokurorisë dhe Gjykatës, jo për një proces të ligjshëm, por për t’u hakmarrë për arsye jo ligjore. Eshtë e paparashikuar në ligj kërkesa që kanë bërë prokurorët”.

Ndaj zotit Berisha nuk është ngritur ndonjë akuzë, por ai është nën hetim për procedurat e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani, nën dyshimet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzoi më pas një grup i madh pallatesh.

Fillimisht ndaj tij, gjykata miratoi masën e detyrimit për paraqitje dhe ndalimin e udhëtimit jashtë vendit. Por sipas zotit Berisha, një masë e tillë ishte antikushtetuese, pasi Prokuroria do të duhej të kishte autorizimin e parlamentit. Ai refuzoi të zbatonte disa herë me radhë vendimin, gjë që çoi në kërkesën e Prokurorisë, për ashpërsimin e masës së sigurisë. Këtë herë Prokuroria ju drejtua parlamentit për të marrë autorizimin e tij, duke qenë se bëhej fjalë për arrestim.

Pavarësisht tensioneve të vazhdueshme në sallë, parlamenti e miratoi kërkesën pa hezitim, ndërkohë që një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese, nuk kishte marrë në konsideratë, mes të tjerash, kërkesën e një grupi deputetësh të opozitës, për pezullimin e masave shtrënguese ndaj zoti Berisha.

XS
SM
MD
LG