Lidhje

Sistemet kundërajrore amerikane mbrojnë qiejt e Ukrainës


Sistemi kundërajror "Avenger" në Ukrainë
Sistemi kundërajror "Avenger" në Ukrainë

Rusia vazhdon të bëjë sulme ajrore ndaj kryeqytetit të Ukrainës dhe qyteteve të tjera. Por zyrtarët ukrainas thonë se qiejt mbrohen nga sistemet e dërguara në Ukrainë nga aleatët e saj. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Kosstutschenko, ai që spikat më shumë është sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore Avenger.

Ushtaraku ukrainas me pseudonimin Festool dikur punonte në prodhimin e mobiljeve në Kiev. Ai tashmë drejton sistemin e raketave kundërajrore amerikane Avenger.

“Kemi rrëzuar tashmë dronët Shaheed dhe raketat”, thotë ai.

Së bashku me bashkëluftëtarë të tjerë, ai u dërgua në shkurt 2023 jashtë vendit për t’u stërvitur në përdorimin e sistemit të mbrojtjes ajrore Avenger.

Normalisht, thotë ai, kjo lloj stërvitjeje kërkon disa muaj, por atij iu dhanë vetëm dy javë kohë. Një ndër arsyet për përgatitjen kaq të përshpejtuar është se sulmet e forcave ruse janë shumë intensive.

Ushtaraku ukrainas Festool duke drejtuar sistemin Avenger
Ushtaraku ukrainas Festool duke drejtuar sistemin Avenger

Në mars 2023, u fut në terren në Ukrainë sistemi i parë Avenger. Zëdhënësi ushtarak Vitaly Georgiev thotë se këto sisteme po mbrojnë objekte civile dhe ushtarake.

“Rusët sulmojnë jo vetëm objektet ushtarake, por edhe infrastrukturën jetike dhe popullsinë civile. Kështu që pothuajse të gjitha sistemet e mbrojtjes ajrore përdoren për të mbrojtur këto objekte dhe godinat civile gjithashtu”, thotë zoti Georgiev.

Përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën, sistemet Avenger nuk ishin përdorur ndonjëherë kundër dronëve, thotë Festooli. Për këtë arsye, ai dhe bashkëluftëtarët e tij janë vazhdimisht në kontakt me kolegët amerikanë për të ndarë këtë eksperiencë të re dhe përdorimin e ri në praktikë të sistemit Avenger.

“Nuk kanë patur një situatë të këtillë me dronë si ne. Normalisht, këto raketa Stinger përdoren për të goditur aeroplanët dhe helikopterët e armikut”, thotë Festooli.

Përgatitja e këtij sistemi ushtarak bëhet në vetëm 15 minuta nga momenti që bie alarmi.

Duhen vetëm dy persona për ta vënë në punë këtë sistem.

XS
SM
MD
LG