Raporti vlerësues i ekspertëve të pavarur të Këshillit të Evropës rreth anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, vlerësohet në mënyra të ndryshme nga njohësit e fushës dhe autoritetet në Kosovë.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e vlerësoi shqetësues raportin i cili sipas tij tregon për mungesë të sundimit të ligjit. Ndërkaq zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, i tha Zërit të Amerikës se raporti paraqet suksesin e radhës në rrugëtimin drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ka mungesë të respektimit të Kushtetutës, të pavarësisë së gjykatave dhe prokurorive nga ana e qeverisë dhe mungesë të vizionit për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha zoti Miftaraj.
“Është sukses në dy kuptime, së pari në kuptimin e përmbylljes së një etape pasi që e dimë se procesi është relativisht i gjatë dhe i koklavitur pra është mirë që tashmë e kaluam këtë fazë, dhe e dyta për nga përmbajtja është një raport jashtëzakonisht i mirë, bën një vlerësim jashtëzakonisht të mirë të legjislacionit të Republikës së Kosovës”, tha zoti Ahmeti.
Në raportin që u publikua gjashtë muaj pasi Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës miratoi kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, ekspertët thonë se legjislacioni i Kosovës u përshtatet standardeve të Këshillit të Evropës për sundimin e ligjit. Por ata kërkojnë nga Kosova themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe mosdërgimin e njësive të posaçme të policisë për të kryer detyra të zakonshme në pjesën veriore të Kosovës.
Ehat Miftaraj i tha Zërit të Amerikës se këto rekomandime në fakt kushtëzojnë përparimin e Kosovës në procesin e anëtarësimit. Por zëvendësministri Kreshnik Ahmeti thotë se nuk bëhet fjalë për kushtëzime, duke nënvizuar gatishmërinë e qeverisë së Kosovës që të punojë për të trajtuar kritikat që dalin nga ky raport.
“Janë risi të cilat kanë nisur të ngjallen në dy vitet e fundit dhe që më në fund janë lidhur tani me një raport të Këshillit të Evropës që në njëfarë mënyre është edhe si mesazh për Republikën e Kosovës nëse ka vullnet politik për t’u integruar në strukturat euroatlantike. Po fillojmë me Këshillin e Evropës por të njëjtat kërkesa do të jenë edhe nesër kur Kosova do të përparojë qoftë për aplikim në Interpol, UNESCO, qoftë në programin e Partneritetit për Paqe e të tjera”, thotë Zoti Miftaraj.
“Ky raport nuk vendos kushte, parakushte apo kritere pasi që raporti është bërë nga jurist eminent profesional të cilët nuk kanë të përshkruar në detyrën e tyre të bëjnë kushte apo kritere për anëtarësim. Siç thuhet edhe në raport këto janë përfundime që nxirren nga këta juristë dhe dihet që çfarëdo raporti për çdo vend të botës ka rekomandime në fund, sepse nuk ka asnjë vend që ka arritur atë stad zhvillimi që të ketë raport pa rekomandime që duhet të përmirësohet diku”, thotë zëvendësministri Ahmeti.
Sipas tij në disa pika të ngritura raporti ka informacione të vjetra. “Pasi që përgjatë kohës që është draftuar raporti ka pasur zhvillime ndërkohë, meqë ky raport është hartuar më herët por ka qenë i klasifikuar dhe së fundi është deklasifikuar. Për shembull njëra nga pikat që ka të bëjë me Asociacionin, në e dimë që ka pasur zhvillime rreth tij, posaçërisht me 26 tetor në takimin e fundit në Bruksel”, tha ai duke iu referuar gatishmërisë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur së fundi për nënshkrimin e projekt-statutit për krijimin e asociacionit, të ofruar nga të dërguarit perëndimorë më 21 tetor.
Në raportin vlerësues, ekspertët kërkojnë nga qeveria e Kosovës të “respektojë plotësisht pavarësinë e sistemit të drejtësisë” dhe “të kufizojë kritikat e pamerituara që po minojnë besimin” në të.
Për zotin Miftaraj, kjo është kërkesa kryesore në raport.
“Pra për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës mund të themi që kemi një kritikë kaq të theksuar në një raport ndërkombëtar. Në anën tjetër sigurisht që ka kritika edhe për sistemin gjyqësor por të cilat janë të tejkalueshme, sepse flitet kryesisht për efikasitetin e punës së gjykatave”, thotë ai.
Zëvendësministri Ahmeti ndërkaq hedh poshtë kritikat për mungesë të pavarësisë së gjyqësorit.
“Askund në raportin e juristëve dhe në përfundimet e tyre nuk identifikohet mungesa e pavarësisë së gjyqësorit nga ekzekutivi, që besoj është një gjë e rëndësishme dhe pozitive për situatën aktuale në Kosovë. Raporti bën thirrje që të mos ketë kritika, por unë mendoj se kjo tregon që nuk ka problem më të thella siç është për shembull cenimi i pavarësisë së gjyqësorit nga qeveria aktuale e Republikës së Kosovës”, theksoi ai.
Zoti Ahmeti tha se së shpejti do të mblidhet grupi ndërinstituiconal për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i themeluar gjatë këtij viti nga qeveria, i cili do të trajtojë çështjet e ngritura.
Ehat Miftaraj nga IKD, thotë se nëse ka vullnet politik për t’i përmbushur kërkesat sa më parë, edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës mund të ndodhë brenda një, dy apo tre viteve. “Nëse Kosova nuk i përmbush këto kushte atëherë në njëfarë mënyrë mund të zgjasë pesë vite, dhjetë vite ose deri në momentin kur Kosova ka vullnet politik”, thekson ai.
Zoti Ahmeti shprehet i bindur se Kosova qëndron shumë më mirë sesa shumica e vendeve anëtare kur kanë qenë në fazën e anëtarësimit. “Prandaj çfarëdo sfide besoj që do të tejkalohet dhe Kosova së shpejti do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, thekson ai, duke bërë thirrje që “procedura të mos stagnoj, që të mos ndërlidhet me çështje të tjera sepse në fund janë qytetarët e Kosovës ata që do të përfitojnë nga mekanizmat e Këshillit të Evropës”.
Raporti i ekspertëve, është pjesë e analizave që do të vlerësohen nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës para se kërkesa e Kosovës për anëtarësim të hidhet në votim. Për t’u anëtarësuar Kosovës i duhet mbështetja e dy të tretave të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.
Këshilli i Evropës, në të cilin Kosova aplikoi për anëtarësim në prill të vitit 2022, është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e themeluar në vitin 1949.