Lidhje

Prishtinë, protesta kundër vizitës së kryetares së Gjykatës së Posaçme për krime lufte


Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë një protestë të organizuar nga Partia Socialdemokrate dhe shoqata e Veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër vizitës në Prishtinë të kryetares së Gjykatës së Posaçme për krime lufte me seli në Hagë, Ekaterina Trendafilova.

Protestuesit hodhën bomba tymuese në hyrjen e një hoteli në qendër të Prishtinës ku ishte paraparë të mbahet një takim me gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile me kryetaren e Gjykatës.

Dardan Molliqaj nga Partia Socialdemokrate tha se kjo Gjykatë po provon të barazojë Kosovën dhe Serbinë duke përndjekur ish ushtarët e UÇK-së.

“E di që dikujt mund t’i duket jo logjike por është thellësisht politike. Bash tash kur Serbisë nuk ja kërkojnë njohjen e Kosovës, bash tash kur po ja jepin autonominë serbëve në kosovës bash tash krerët e UÇK-së janë në Hagë. Këto vepra me të cilat akuzohen janë vepra të vjetra të raporteve të UNMIK-ut të vitit 2000-2001 , por tash që duhet mu afru me Serbinë tash duhet ushtarët e UÇK-së me i përndjekë”, tha ai.

Partia Socialdemokrate tha se policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë anëtarë të saj gjatë protestës.

Kryetarja e Gjykatës së Posaçme, Ekaterina Trendafilova, përsëriti sot se mbrojtja e dëshmitarëve vazhdon të mbetet përparësi e punës së kësaj gjykate dhe është një prej arsyeve kryesore të themelimit të saj. Ajo hodhi poshtë pohimet se gjykata i nënshtrohet ndonjë ndikimi apo trysnie politike.

“Deri më tani asnjëherë nuk ka ndodhur që ndokush të përpiqet të ushtrojë trysni politik mbi këdo, duke përfshirë veten time dhe gjithashtu kolegët e mi, kurrë dhe kjo është meritë e autoriteteve të Kosovës dhe sponzorizuesve tanë që janë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuese. Kurrë dhe do të qëndrojnë kështu”, tha ajo.

Zonja Trendafilova tha se Gjykata e Posaçme tashmë ka disa raste duke i gjykuar dhe së fundmi ka arrestuar disa individë “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe shkeljen e sekretit të procedurave”.

Puna e Gjykatës së Posaçme është kritikuar shpesh në Kosovë.

Aktualisht në Hagë ndodhen ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ish shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ish kryetari i parlamentit, Jakup Krasniqi, si dhe disa ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare.

Që të gjithë janë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

XS
SM
MD
LG