Lidhje

Integrimi, Rama skeptik mbi bisedimet për grupkapitujt e parë në dhjetor


Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama nuk u shfaq shumë optimist mbi mundësinë që në kuadër të procesit integrues, Bashkimi Europian të hapë bisedimet për grupkapitujt e parë me Shqipërinë, në muajin dhjetor.

Komisioni Europian u ka kërkuar vendeve anëtare që ky proces të niste në fund të këtij viti, por gjatë një bashkëbisedimi me Këshillin Atlantik mbi integrimin në BE dhe Ballkanin zoti Rama e cilësoi afatet, si teknikalitete.

“Nuk jam shumë i fiksuar për këto teknikaletitete. Kemi nisur bisedimet për anëtarësim, negociatat po vazhdojnë. Kemi bërë një punë shumë të mirë, sikurse nënvizohej në çdo faqe të raport të ecurisë së këtij viti. Kjo është më e rëndësishmja. Se cilat do të jenë janë teknikalitetet e saj, nuk do bëj shumë përpjekje dhe nuk do shpenzoj shumë energji për ta kuptuar. Është një proces i ndërlikuar dhe kompleks.

Më e rëndësishme për ne është që të ndërmarrim hapat e duhura. Siç dihet, mes plotësimit të detyrimeve dhe miratimit janë në mes 27 vende anëtare. Ato janë bashkë në parimet e mëdha, por nuk janë përherë bashkë kur vjen puna për të marrë vendime. Le ta marrim shtruar këtë çështje”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Hezitimi i kryeministrit Edi Rama duket se lidhet me paralajmërimet e Greqisë, se çështja e kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës Fredi Beleri, do të ndikojë në përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Arrestimi i zotit Beleri, dy ditë përpara zgjedhjeve të 14 majit dhe procesi ndaj tij nën akuzat për shitblerje të votës, konsiderohet nga Athina, ndër të tjera, dhe si shkelje e të drejtave të pakicave dhe të drejtave politike. Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare e kanë konsideruar këtë si çështje që i takon vetëm drejtësisë.

Propozimi i Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve për grupkapitujt e parë pritet të disktuohet në mbledhjen e muajit dhjetor të Këshillit Europian, ku çdo vendimi, duhet të merret me miratimin e të gjithë vendeve anëtare.

XS
SM
MD
LG