Lidhje

Presidenti Biden nënvizon përpjekjet me Kinën e Meksikën për luftën ndaj fentanilit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden

Presidenti amerikan Joe Biden nënvizoi të martën përpjekjet e administratës së tij për të penguar hyrjen e fentanilit dhe substancave që përdoren për prodhimin e drogës vdekjeprurëse, pas marrëveshjeve me udhëheqësit e Kinës dhe Meksikës, javën e kaluar.

Megjithatë, siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, ekspertët thonë se përpjekjet e mëparshme për të kontrolluar prodhimin dhe dërgesat me fentanil nga jashtë vendit deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme.

Droga vdjekeprurëse fentanil mund të dërgohet, pa u zbuluar, përmes rrugës ajrore, pikave doganore kufitare madje edhe përmes postës.

Në vazhdim të marrëveshjeve me Kinën dhe Meksikën për luftën kundër trafikimit të fentanilit, që u arritën në kuadër të takimit të nivelit të lartë të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit në San Fransisko javën e kaluar, Presidenti Joe Biden u zotua të martën se administrata e tij do të forcojë përpjekjet për luftën ndaj fentanilit, drogës që në vitet e fundit u ka marrë jetën më shumë se 200 mijë amerikanëve.

“Kjo sfidë i ka rrënjët jashtë kufijve, jashtë Shteteve të Bashkuara. Eshtë një sfidë që kërkon veprime në rang botëror”, tha Presidenti Joe Biden.

Fentanili prodhohet në Meksikë, nga substancat kimike që vijnë nga Kina, trafikohen përmes karteleve të drogës dhe hyn kontrabandë në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa Kina është zotuar se do të luftojë dërgimin e substancave kimike, mbetet për t’u parë se si do të realizohet një gjë e tillë, pasi për dërgesat mund të përdoren rrugë të reja.

“Ne shqetësohemi se mund të gjenden mënyra të tjera. Pra nëse Kina ndalon dërgesat e substanave kimike, industria indiane e ilaçeve, e cila është shumë e madhe, me mekanizma të dobët kontrollues dhe me një sistem korruptiv, do ta zërë vendin e Kinës”, shprehet Peter Reuter nga universiteti i Merilendit.

Ekspertët vlerësojnë qasjen gjithëpërfshirëse të administratës së Presidentit Biden, por thonë se përqëndrimi i madh në kufizimin e hyrjes së fentanilit mund të jetë kundërproduktiv ndaj hapave pozitivë, që janë ndërmarrë nga admistrata amerikane për të ulur dëmet që shkakton fentanili.

“Shumë nga këto përpjekje për të kufizuar dërgesat mund t’i nxisë trafikantët që të identifikojnë substanca kimike më të forta. Kjo do të thotë, sasi më të ulëta të substancave kimike, por me të njëjtin efekt, për ta patur më të lehtë trafikiminin”, thotë Brandon Marshall nga universiteti “Brown”.

Presidenti Biden i ka bërë thirrje kongresit për forcimin e masave ligjore dhe për ta përfshirë fentanilin në listën e substancave të ndaluara për përdorim për arsye mjekësore dhe që paraqesin rrezikshmëri të lartë për abuzim. Por ekspertët thonë se një masë e tillë mund të jetë e rrezikshme.

“Një masë e tillë do të mund të çonte në stigmatizim. Përdoruesit do të burgoseshin dhe do të përjashtoheshin nga komunitetet e tyre, çka me shumë gjasë do të çonte në mbidozë”, thotë Mary Sylla, nga Koalicioni Kombëtar Kundër Rrezikut nga Fentanili.

Sipas zonjës Sylla, duhen bërë më shumë përpjekje për të ulur ndikimin negativ të përdorimit të këtyre substancave, përfshirë parandalimin e mbidozës së fentanilit, forcimin e aftësive reaguese në rast mbidoze dhe qasjen ndaj trajtimeve për varësinë ndaj kësaj droge.

XS
SM
MD
LG