Javën që shkoi Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një urdhër gjithpërfshirës ekzekutiv mbi zhvillimin dhe përdorimin e sigurt të inteligjencës artificiale. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh sjell reagimet e ekspertëve të kësaj teknologjie në zonën e Uashingtonit.
Urdhri ekzekutiv për Inteligjencën Artificiale, i nënshkruar nga Presidenti Joe Biden javën që shkoi, bazohet në një marrëveshje në fillim të vitit me disa nga kompanitë kryesore të teknologjisë, të cilat u zotuan për zhvillimin e inteligjencës artificiale në mënyrë të sigurt dhe transparente.
“Ndërsa inteligjenca artificiale tejkalon kufijtë e mundësive njerëzore dhe teston kufijtë e të kuptuarit njerëzor, ky urdhër historik ekzekutiv është dëshmi e asaj që ne mbrojmë: sigurinë, besimin dhe transparencën”, tha Presidenti Biden
Një nga synimet është që përfitimet nga Inteligjenca Artificiale të ndahen në mënyrë të barabartë midis të gjithë sektorëve të shoqërisë, krahas trajtimit të rreziqeve të saj.
“Nëse do të kishte një pikë kryesore të urdhrit ekzekutiv, është nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse të qeverisë për të vendosur një mur mbrojtës, domethënëse, rreth mënyrës se si projektohet, zhvillohet dhe përdoret kjo teknologji për interes të publikut”, thotë Camille Carlton nga Qendra për Teknologji Njerëzore.
David Broniatowski është professor në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Shkencave të Aplikuara në Universitetin George Washington.
“Ajo që bën ky urdhër i posaçëm është qasja unike, përqëndrimi i tij tek standardet. Kjo qasje, pra përqëndrimi tek standardet, është më gjithëpërfshirëse krahasuar me sektorët e tjerë, sepse u mundëson më shumë njerëzve të shprehin mendimet e tyre”, thotë ai.
Beth Noveck është drejtore e Qendrës për Ndryshime Sociale “Burnes” në Universitetin Verilindor.
“Ideja se do të kemi një zyrtar të Inteligjencës Artificiale, përgjegjës për këtë teknologji, në çdo agjenci federale dhe se po meren masa mbrojtëse në të gjitha agjencitë për të zbutur rreziqet, mbrojtur konsumatorët dhe për të pakësuar diskriminimin, mendoj se është një njoftim i rëndësishëm dhe i shumëpritur”, thotë ajo.
Por zonja Noveck ka disa shqetësime.
“Duke zbutur rreziqet, ajo që nuk po bëjmë është qasja proaktive në pyetjet se çfarë investimesh duhet të bëjmë, cilat janë politikat që duhet të zbatojmë, çfarë duhet të bëjmë ndryshe, për të rritur përfitimet nga Inteligjenca Artificiale”, thotë për Zërin e Amerikës zonja Noveck.
Megjithatë, ajo beson se urdhri ekzekutiv është një fillim i mirë.
“Ndërsa ecim përpara, duam të sigurohemi se po përqafojmë përdorimin dhe zhvillimin e përgjegjshëm të këtyre teknologjive dhe të sigurohemi se po përdorim fuqinë e tyre për ta bërë botën më të mirë”, thotë ajo.
Shtëpia e Bardhë shpreson se veprimet që po ndërmerr brenda vendit do të shërbejnë si model për qasje ndërkombëtare, sepse zhvillimi i Inteligjencës Artificiale në një vend mund të ndikojë në jetën e miliarda njerëzve në mbarë botën.