Lidhje

Protesta tek ambasada amerikane në Liban, ndërsa vendi përballet me mundësinë e përfshirjes në luftë


Protestuesit në Bejrut përpiqen të heqin një pengesë me tela me gjemba në rrugën që të çon drejt ambasadës amerikane (18 tetor 2023)
Protestuesit në Bejrut përpiqen të heqin një pengesë me tela me gjemba në rrugën që të çon drejt ambasadës amerikane (18 tetor 2023)

Tensionet janë rritur në Liban ndërsa protestuesit u mblodhën pranë ambasadës amerikane në Bejrut dhe u përplasën me forcat e sigurisë. Situata është e tensionuar edhe përgjatë kufirit Liban – Izrael që kur Izraeli filloi operacionin ushtarak ndaj Hamasit në Rripin e Gazës. Grupi militant politik libanez Hezbollah ka paralajmëruar se nëse ndodh një ofensivë tokësore izraelite në Gaza, ata do të bëhen pjesë e konfliktit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jacob Russell, ky zotim i Hezbollahut do ta tërhiqte Libanin në një luftë të kushtueshme dhe veçanërisht të komplikuar.

Protesta tek ambasada amerikane në Liban
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe pompa uji ndaj protestuesve të mbledhur sot pranë ambasadës amerikane në Bejrut. Protesta u thirr pas shpërthimit në një spital në Gaza ku mendohet se janë vrarë qindra persona, si dhe për të demonstruar kundër mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Izraelin, ndërkohë që Presidenti amerikan Joe Biden gjendet në Izrael në shenjë solidariteti për këtë vend.

Protestuest godasin me gurë forcat e sigurisë pranë ambasadës amerikane në Bejrut (18 tetor 2023)
Protestuest godasin me gurë forcat e sigurisë pranë ambasadës amerikane në Bejrut (18 tetor 2023)

Ndësa Izraeli duket se po përgatitet për një ofensivë ndaj Rripit të Gazës, grupi militant politik libanez Hezbollah ka thënë se kjo do të shkaktonte përfshirjen e tyre në luftë.

Kufiri mes Izraelit dhe Libanit ka qenë i tensionuar prej vitesh, ndërsa Forcat Mbrojtëse Izraelite dhe Hezbollahu shkëmbejnë zjarr vazhdimisht.

Deri më tani, të dyja palët kanë ndjekur rregullat e përshkallëzimit ushtarak që synojnë shmangien e një lufte të plotë frontale. Por tashmë, që në ditët e para të konfliktit Izrael-Hamas, dhuna përgjatë kufirit të Libanit me Izraelin është përshkallëzuar dukshëm dhe ka shkaktuar viktima në të dyja anët e kufirit.

“Krahasuar me praktikat e mëparshme, sulmet që ndodhën gjatë dy ditëve të fundit ishin një përshkallëzim që nuk e kemi parë në të kaluarën. Dhe mendoj se zhvillimet që do të pasojnë do të jenë brenda këtij kuadri – një lloj rritje e dhunës krahasuar me ç’kemi parë në të kaluarën. Por pyetja është: A janë të dyja palët të interesuara ta mbajnë brenda kësaj hapësire të kufizuar?”, thotë Mohanad Hage Ali, nga Qendra “Carnegie” për Lindjen e Mesme.

Brenda Libanit, grupi Hezbollah gëzon mbështetjen e atyre që e shikojnë si në mbrojtje të një kauze të drejtë.

“Nuk mundet Izraeli të lëndojë popullin palestinez, fëmijë dhe civilë. Duhet të jetë ushtria kundër ushtrisë”, thotë Ahmedi, mbështetës i Hezbollahut.

Sidoqoftë, shumë njerëz kujtojnë ende herën e fundit kur palët bënë luftë në vitin 2006 dhe nuk dëshirojnë të tërhiqen në një luftë të re.

“Sigurisht që kemi frikë. Do të na shkatërrojë shtëpitë. Do të na shkatërrojë vendin. Kemi patur mjaftueshëm. Nuk e duam luftën”, thotë berberi Tony.

Shkatërrimi që mund të pësojë Libani nga një tjetër luftë me Izraelin do të kishte pasoja serioze për rendin delikat në vend.

Një nga pozicionet e ushtrisë izraelite i sulmuar nga militantët e grupit Hezbollah (15 tetor 2023)
Një nga pozicionet e ushtrisë izraelite i sulmuar nga militantët e grupit Hezbollah (15 tetor 2023)

“Nëse bëhet një fushatë masive bombardimesh nga Izraeli si në vitin 2006, me shkatërrime të mëdha brenda Libanit, kjo do t’i trazonte gjërat në vend”, thotë zoti Ali.

Grupi Hezbollah nuk duket se është shumë i shqetësuar se çfarë mendojnë libanezët e tjerë. Duke folur me Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, një komandant i tyre i lartë tha se kanë njësi në Bejrut në gatishmëri të plotë për të mbrojtur mbështetësit e tyre nga fraksionet e tjera libaneze. Ai tha se “nëse është e nevojshme, mund ta marrim nën kontroll vendin për 24 orë”.

Libani është ende duke kaluar një krizë të thellë sociale dhe ekonomike, dhe nuk mund të përballojë rindërtimin e kushtueshëm pas një lufte tjetër. Pasojat afatgjata brenda vendit të luftës do të vareshin shumë nga aftësitë e Hezbollahut për të siguruar fonde për rindërtimin.

XS
SM
MD
LG