Lidhje

Kosovë, parakalim për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit


Grupe qytetarësh e përfaqësues institucionesh vendëse e ndërkombëtare u mblodhën të shtunën në një parakalim në qendër të Prishtinës, i cili synon ngritjen e shkallës së ndërgjegjësimit mbi kancerin e gjirit.

Kosovë, parakalim për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:11 0:00


Pjesëmarrësit bënë thirrje për krijimin e kushteve që gratë të kontrollohen vazhdimisht meqë zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje ofron mundësi më të mëdha për shërimin e saj.

Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në Prishtinë, tha se diagnostikimi i hershëm është thelbësor për parandalimin e zhvillimit të kancerit të gjirit.

“Vetkontrolli mujor, ekzaminimi i gjirit nga personeli shëndetësor, mamografia, ekoja e gjirit janë ndër masat kryesore parandaluese për kancerin e gjirit për gratë dhe vajzat pa faktorë risku, e nëse kanë faktorë risku kujdesi duhet të jetë edhe më i madh e kontrollet edhe më të shpeshta”, tha zoti Kurtishi.

Nafije Latifi, drejtoreshë e organizatës “Jeta-Vita”, e cila organizon këtë parakalim çdo tetor, tha se po bëhen përpjekje për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit gjithandej Kosovës.

“Kemi organizuar punëtori në të gjitha qendrat komunale të Kosovës ku qindra pjesëmarrës, gra e burra, kanë marrë informata se si mund të zbulohet e trajtohet kanceri i gjirit, si të fitohet beteja me këtë sëmundje sepse kjo nuk është betejë vetëm e grave por e tërë familjes dhe shoqërisë”, tha zonja Latifi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se këtë vit zyra e saj do të ndihmojë rreth 400 gra të prekura nga kjo sëmundje me nga një pako onkologjike.

“Natyrisht që na duhet mobilizim i përhershëm për këtë kauzë, të përqendruar jo vetëm në një muaj por në çdo ditë të vitit sepse sikundër që kanceri nuk pushon asnjëherë, as ne nuk duhet të pushojmë në përpjekjet tona që të prekurve t’u dalim në ndihmë si mundemi dhe me aq sa mundemi”, tha presidentja Osmani.

Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur i kancerit në Kosovë dhe Evropë dhe rrjedhimisht ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë. Kjo sëmundje kryesisht godet gratë, por pa përjashtuar burrat. Në Kosovë çdo vit rreth 400 gra preken nga kjo sëmundje.

XS
SM
MD
LG