Aktorët e Hollivudit ndodhen në grevë duke kërkuar kufizimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në prodhimet e filmave.
Ata shpresojnë të arrijnë të njëjtin sukses me skenaristët, të cilët i dhanë fund kohët e fundit grevës së tyre 5 mujore, pasi arritën një marrëveshje me studiot e mëdha.
Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot njofton nga Los Anxhelesi.
Marrëveshja që i dha fund grevës së skenaristëve përfshin mbrojtjen nga studiot, të cilat përdorin inteligjencën artificiale për të “shkruar apo rishkruar materiale artistike”. Anëtarja e sindikatës, Angela Jorgensen, thotë se kjo është e “jashtëzakonshme”.
“Vendosja e kufizimeve për përdorimin e inteligjencës artificale dhe moslejimi që ajo të aftësohet për vepra që krijojmë ne skenaristët, do të na ndihmojë që të ruajmë vendet tona të punës”.
Studiove do t’u kërkohet që t’u tregojnë skenaristëve në rast se materialet që u jepen atyre janë prodhuar nga inteligjenca artificiale, ndërsa skenaristët do të jenë të lirë të përdorin programe të inteligjencës artficiale, si ChatGPT, nëse ata duan.
Skenaristit Al Septien thotë se kjo është një fitore.
“Ne mund të përdorim inteligjencën artificiale nëse duam, por nuk detyrohemi ta bëjmë një gjë të tillë. Dhe përdorimi i inteligjencës artificale nuk zvogëlon pagesën, autorësinë apo rolin e skenaristit, kjo është diçka e madhe”.
Disa skenaristë po vazhdojnë të mbështesin aktorët që gjenden në grevë, të cilët janë gjithashtu të shqetësuar për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Aktori Ron Song thotë se beteja për mos përdorimin e kopjeve “digjitale” të aktorëve nis që kur shkruhet skenari.
“Nëse ka shmangie të çështjeve që lidhen me inteligjencën artificiale, apo ka paqartësi mbi përdorimin në përjetësi të saj, si për shembull, që të përdoret në përjetësi pa miratimin e aktorit, apo nëse është pjesë e kontratës, që parashikon largimin e aktorit nga prodhimi kinematografik, nëse nuk firmos një marrëveshje që lidhet me përdorimin e saj, atëherë e gjithë kjo ka lidhje me inteligjencën artificiale”.
Marrëveshja e re tre vjeçare për skenaristët përfshin edhe rritje të pagave dhe pagesa shtesë për prodhimet që transmetohen në platforma në internet. Skenaristja Jasmyne Peck tha se ishte inkrurajuar nga ajo pjesë e marrëveshjes, që zgjeron mundësitë për skenaristët që deri tani kanë qenë më pak të përfaqësuar.
“Skenaristë afro-amerikanë, skenaristë me aftësi të kufizuara, apo çdokush që vjen nga një popullsi që historikisht nuk ka qenë në vijën e parë të kësaj industrie”, shprehet ajo.
Deri më tani nuk ka patur një deklaratë nga ana e Aleancës së Prodhuesve të Filmit dhe Televizionit mbi detajet e marrëveshjes së arritur me skenaristët.
Drejtuesit e këtij rrjeti rifilluan të hënën bisedimet me sindikatën e aktorëve Screen Actors Guild.