Sëmundjet e zemrës shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në çdo rajon të globit, sipas Federatës Botërore të Zemrës. Kjo organizatë thotë se janë rritur aftësitë e mjekëve për të gjetur trajtime të reja dhe pajisje mjekësore që u mundësojnë njerëzve me sëmundje të zemrës të jetojnë më gjatë, por bota duhet të bëjë më shumë për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare.
Ish-portieri i ekipit futbollistik të Arsenalit në Angli, David Seaman, tani është ambasador i Fondacionit Britanik të Zemrës.
Ai përballet me një rrahje të çrregullt të zemrës, të njohur si fibrilacion atrial. Më 29 shtator, në Ditën Botërore të Zemrës, ai paralajmëroi njerëzit për sëmundjen që shkakton vdekjen e më shumë njerëzve në mbarë botën se çdo gjë tjetër.
“Çdo ditë rreth 180 njerëz vdesin nga sëmundjet e zemrës në Britani", tha ai.
Një sondazh i organizuar nga Fondacioni Britanik i Zemrës tregon se mbi një e treta e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në Britani.
Ata madje nuk janë të vetëdijshëm se mund të kenë sëmundje të zemrës pa përjetuar simptoma.
Mjekët në vendet perëndimore thonë se rënia e pirjes së duhanit dhe zhvillimi i teknikave dhe mjekimeve të reja kirurgjikale ka sjellë përmirësime.
Megjithatë, vdekjet nga sëmundjet e zemrës po rriten në të gjithë botën.
“Në vitin 2021, 20.1 milionë njerëz në botë vdiqën nga sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa në vitin 2019 18.6 milionë. Pra, për fat të keq, ka një rritje të numrit të vdekjeve nga sëmundjet e zemrës. Ne e dimë se çfarë mund të shkaktojë sëmundjet kardiovaskulare. Rreth 80% e këtyre sëmundjeve janë potencialisht të parandalueshme. Disa nga faktorët e rrezikut janë të njohur, si pirja e duhanit, tensioni i lartë, kolesteroli i lartë dhe diabeti. Pra, ne i dimë shumë shkaktarë të sëmundjeve kardiovaskulare”, thotë Profesor Fausto Pinto, ish-president i Federatës Botërore të Zemrës.
Pirja e duhanit, ushqimet e shpejta, niveli i ulët i stërvitjes dhe dieta e varfër kontribuojnë gjithashtu në një rritje të sëmundjeve të zemrës në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Këto rajone kanë probleme shtesë për shkak të sistemit të dobët të kujdesit shëndetësor, duke bërë që në shumë raste, sëmundjet kardiovaskulare të përfundojnë me vdekje.
Profesori i Kardiologjisë në Universitetin e Londrës, Riyaz Patel thekson se çdo vend është në garë me sëmundjet e zemrës. Sipas tij, megjithëse është bërë përparim i madh në trajtimin e sëmundjeve të zemrës në të gjithë botën, kjo nuk ka ngadalësuar përhapjen e tyre dhe numrin e vdekjeve nga këto sëmundje.
Një kontribues kryesor ka qenë pirja e duhanit, e cila ka rënë në disa vende perëndimore për shkak të programeve të ndërgjegjësimit të publikut dhe masave ligjore për të kufizuar këtë zakon, si ndalimi i pirjes së duhanit në vende publike.
Por këto përfitime janë kundërpeshuar nga prirja globale drejt obezitetit, e nxitur nga ushqimet e shpejta.
“Në kohët historike, ajo u nxit kryesisht nga duhani dhe sfidat e tjera të shëndetit publik. Me kalimin e kohës, kjo ndryshoi dhe pirja e duhanit filloi të reduktohej në disa vende perëndimore. Fatkeqësisht, faktorë të tjerë rreziku janë rritur, si obeziteti dhe diabeti”, thotë profesor Patel.
Ajo që e rëndon më tej situatën është fakti se sëmundjet e zemrës janë të parandalueshme, dhe në fund të fundit mjekët besojnë se ky duhet të jetë synimi kryesor i vendeve të botës.
Ekspertët Patel dhe Pinto mendojnë se politika të reja të shëndetit publik janë të nevojshme për të inkurajuar një mënyrë jetese më të shëndetshme.
Kjo mund të bëhet përmes fushatave të shëndetit publik si ato që organizohen në Ditën Botërore të Zemrës dhe ligjeve për të inkurajuar njerëzit të ndjekin praktika më të mira shëndetësore.