Lidhje

Milan Radoiçiç merr përsipër përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës


Milan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori të premten përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës të dielën me 24 shtator, duke vrarë një oficer policie.

Milan Radoiçiç merr përsipër përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:00 0:00

Në një deklaratë të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviç, ai pretendoi se të gjitha përgatitjet i ka bërë “i vetëm” dhe pa mbështetjen e autoriteteve në Serbi.

“Po i njoftoj të gjithë përndjekësit e popullit serb nga (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, thuhet në deklaratë, në të cilën theksohet se për këtë Milan Radoiçiç nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar "ndonjë ndihmë" prej tyre.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i nënshtrohen atij terror”, thuhet në deklaratë.

Milan Radoiçiç tha se për aksionin e së dielës nuk e ka njoftuar askënd nga strukturat qeveritare të Serbisë, strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës dhe se nuk ka marrë asnjë ndihmë prej tyre, pasi sipas tij “tashmë kemi pasur qëndrime të ndryshme lidhur me metodat e rezistencës ndaj terrorit të (Albin) Kurtit”.

“Vdekja e policit ndodhi aksidentalisht, pas së cilës filloi një përleshje e ashpër nga të dyja anët, ku mbetën të vrarë tre bashkëluftëtarët tanë, heronj, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe ruajtjen e Kosovës”, tha ai duke nënvizuar se pjestëart e grupit nuk janë terroristë por “luftëtarë për lirinë e popullit serb”.

Në deklaratë ai thotë se po jep dorëheqje nga posti i tij në Listën Serbe dhe do t'i përgjigjet ftesës së autoriteteve të Serbisë për t’u marrë në pyetje.

Të dielën policia e Kosovës u përlesh me një grup personash të armatosur që sulmoi zyrtarët e saj duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër. Grupi më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë duke vazhduar të qëllojë mbi forcat e rendit. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë.

Autoritetet në Prishtinë publikuan të martën pamje nga droni dhe identifikuan në mesin e grupit të armatosur Milan Radoiçiçin, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili mohoi lidhjet me grupin e armatosur, tha se organet përgjegjëse serbe do të marrin në pyetje nënkryetarin e Listës Serbe dhe do të hetojnë ngjarjet e së dielës, duke akuzuar Prishtinën zyrtare për nxitje të dhunës në veri.

Të premten policia e Kosovës bastisi pronat e Milan Radoiçiçit në veri në kuadër të hetimeve për ndriçimin e sulmit të së dielës që u cilësua si sulm terrorist nga institucionet vendase, Bashkimi Evropian dhe diplomatët e vendeve perëndimore.

XS
SM
MD
LG