Lidhje

Policia e Kosovës kryen bastisje në veri lidhur me ngjarjet në Banjskë


Policia e Kosovës bastisi të premten pesë vende të ndryshme në tri komuna me shumicë serbe në veri të vendit, në kuadër të hetimeve lidhur me ngjarjet e së dielës në fshatin Banjskë ku u vra një oficer i policisë dhe tre sulmues të armatosur.

Zëvendëskomandanti i policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, tha për Zërin e Amerikës se kontrollet kanë nisur pas orës gjashtë të mëngjesit por deri tani nuk ka pasur të arrestuar.

Policia tha se kontrollet janë kryer me urdhëresë të gjykatës dhe në bashkërendim me misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it.

Bastiset janë kryer kryesisht në pronat e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç të cilin autoritetet në Kosovë e identifikuan si pjesë të grupit të armatosur që sulmoi forcat e rendit duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër. Grupi që sulmoi policinë më pas hyri me forcë në manastirin ortodoks në fshatin Banjskë duke vazhduar të qëllojë mbi policinë. Përleshja përfundoi kur shumica e sulmuesve u arratisën. Tre nga sulmuesit e armatosur mbetën të vrarë.

Ngjarjet e së dielës janë cilësuar si sulm terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë.

Të martën ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, publikoi pamje nga droni ku shihet një grup personash të armatosur rëndë teksa qëndrojnë në një pjesë të ndërtesave të manastirit ortodoks në fshatin Banjskë në veri të Kosovës. Në pamje theksohet se një nga ta është Milan Radoiçiç, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i cili mohoi lidhjet me grupin e armatosur, tha se organet përgjegjëse serbe do të marrin në pyetje nënkryetarin e Listës Serbe dhe do të hetojnë ngjarjet e së dielës, duke akuzuar Prishtinën zyrtare për nxitje të dhunës në veri.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë nëpërmjet një komunikate pas bastisjeve të së premtes tha se forcat e policisë së Kosovës “kanë sulmuar dhunshëm Qendrën spitalore të Mitrovicës së Veriut dhe disa objekte të tjera private në veri”.

“Është e qartë se (Albin) Kurti dhe policia e tij po i shfrytëzojnë ngjarjet e së dielës në Banjskë si arsyetim për vazhdimin e terrorit në veri të Kosovës dhe ky aksion është kryer me qëllimin e qartë që në veri të mos ketë paqe”, thuhet në reagim.

Ngjarjet e së dielës ishin nga më të rëndat që kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, por që kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

XS
SM
MD
LG