Lidhje

Presidenti Biden i bashkohet grevës së punonjësve të autoindustrisë në Miçigan


Ish-Presidenti Donald Trump do të shkojë sonte në Miçigan në përpjekje për të siguruar mbështetje për zgjedhjet presidenciale të vitit që vjen, ndërsa greva e punonjësve të industrisë së prodhimit të makinave hyn në javën e dytë. Vizita e zotit Trump vjen një ditë pasi Presidenti Joe Biden u bë presidenti i parë amerikan në detyrë që i bashkohet një greve të sindikatave, duke mbështetur punonjësit e linjës së prodhimit të automjeteve në Miçigan ndërsa kërkojnë rritje page prej 40 për qind dhe një javë pune 32 orëshe. Vizitat e kundërshtarëve politikë nxjerrin në pah dinamikën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, e cila gjithnjë e më shumë po duket si një duel mes republikanit Trump dhe demokratit Biden. Por sa do të ndikojë vizita e Presidentit Biden tek qëndrimi i drejtuesve të tre gjigandëve amerikanë të prodhimit të makinave?

Presidenti Biden i bashkohet grevës së punonjësve të autoindustrisë në Miçigan
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:51 0:00


Presidenti Joe Biden thotë shpesh se sindikatat e punonjësve e ndërtuan Amerikën. Të martën, ai u bë presidenti i parë në detyrë që i bashkohet grevës së sindikatës së punonjësve të autoindustrisë në Detroit. Greva e punonjësve të autoindustrisë po hyn në javën e dytë ndërsa kërkojnë paga më të larta dhe një javë më të shkurtër pune si dhe ndryshime të tjera nga drejtuesit e tre gjigandëve amerikanë të prodhimit të automobilave.


Zoti Biden nuk ka thënë se cilat kërkesa të punonjësve i mbështet, ndërsa është shprehur se i mbështet të drejtat e tyre.


“Vazhdoni grevën, sepse meritoni rritjen e konsiderueshme që ju nevojitet dhe përfitime të tjera. Le të fitojmë atë që kemi humbur. Ne i mbështetëm ata (kompanitë e automobilave). Tani është koha që ata të na mbështesin ne”.


Presidenti i sindikatës së fuqishme të punonjësve të autoindustrisë amerikane e falënderoi zotin Biden. Sindikata që mbështeti kandidaturën e zotit Biden në vitin 2020 ende nuk ka shprehur qëndrimin për zgjedhjet e vitit 2024.



“Faleminderit zoti President që erdhët për të na mbështetur në momentin përcaktues të gjeneratës tonë. Faleminderit që jeni pjesë e kësaj beteje”, tha Shawn Fain, president i sindikatës “United Auto Workers”.


Sindikata thotë se ka më shumë se 400,000 anëtarë, ndërsa thekson rritjen e fitimeve të mëdha të kompanisë dhe pagat e larta të drejtuesve, në kontrast me rritjen e vogël të pagës së punonjësve.


Javën e kaluar gjatë protestës, një punonjëse tha se greva ka të bëjë më shumë sesa kushtet. Bëhet fjalë për mënyrën sesi amerikanë mendojnë për punën dhe kompensimin nga korporatat.


“Dua që nivelet të jenë të balancuara. Që të gjithë të kenë një pagë të mirë dhe të drejtë. Nëse paguhem 30 dollarë në njërën anë të linjës së prodhimit dhe individi përballë meje paguhet 15 dollarë në orë, si mund të jetë e drejtë?”, thotë Yolanda Downs, anëtare e sindikatës.


Kompania më e madhe amerikane e prodhimit të makinave “General Motors”, shmangu çdo koment të drejtpërdrejtë lidhur me vizitën e zotit Biden, ndërsa u shpreh përmes një deklarate se, “Impenjimi ynë nuk është në politikë, por vazhdon të jetë tek negociatat në mirëbesim me drejtuesit e sindikatës për të arritur një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur”.


Profesoresha e shkencave politike, Susan Kang, thotë se vendimi i zotit Biden për të mbështetur punonjësit është i rëndësishëm. Por a mund ta ndryshojë ai balancën e negociatave?


“Ndoshta jo, sepse ka shumë detaje në specifikat e negociatave. Por ai mund të ndikojë tek mbështetja politike. Aktualisht greva gëzon një mbështetje të madhe nga publiku. Mendoj se kjo do ta legjitimojë edhe më tej pozitën e grevistëve”.


Kandidati kryesor republikan për president, Donald Trump, do të zhvillojë sonte në mbrëmje një tubim pranë një fabrike në Detroit që nuk është pjesë e sindikatave, duke anashkaluar debatin e dytë mes kandidatëve republikanë për president. Përmes një deklarate, zoti Trump e quajti udhëtimin e Presidentit Biden në Detroit si një manovër politike.


Profesoresha Kang thotë se politikanët e moshuar mund të mos e kuptojnë një lëvizje më të gjerë të brezit të amerikanëve të lindur mes viteve 1981 dhe 1996, forca më e madhe punonjëse në vend.


“Mendoj se ka një valë kundër intolerancës së madhe të pabarazisë së thellë socio-ekonomike që me të vërtetë e ka karakterizuar jetën time”.


Sindikata po kërkon një rritje prej 36% të pagave të përgjithshme gjatë katër viteve të ardhshme. Punonjësit kërkojnë një javë pune 32 orëshe pa ndikuar tek paga dhe që kostoja e jetesës të reflektohet tek rrogat që marrin, mes kërkesave të tjera.

XS
SM
MD
LG