Lidhje

Hibrid: Në Kosovë, 60 deri në 80 lajme në muaj me përmbajtje keqinformuese


Platforma për verifikimin e fakteve në Kosovë, Hibrid, çdo muaj zbulon rreth 60 deri në 80 lajme me përmbajtje të pasaktë.

Festim Rizanaj, hulumtues në këtë platformë, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se format më të përhapura të keqinformimit janë ‘clickbaits’ dhe dezinformatat.

“Temat të cilat e përcaktojnë edhe informacionin apo zhvillimet që përcaktojnë informacionin, janë edhe temat që e përcaktojnë keqinformimin, pra ai dinamizmi apo ngjarjet të cilat janë më aktuale bëhen brum për përmbajtje të ndryshme keqinformuese. Së fundi zakonisht këtu zë vend veriu për shkak të zhvillimeve të fundit që po ndodhin atje dhe dinamizmit të ngjarjeve që lidhen me veriun”, tha zoti Rizanaj.

HIBRID: Në Kosovë, 60 deri 80 lajme në muaj me përmbajtje keqinformuese
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:31 0:00

Sipas një studimi të kësaj platforme, në gjashtë muajt e parë të këtij viti çështjet që ndërlidhen me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shfrytëzuar më së shumti për keqinformim.

Zoti Rizanaj thotë se mediat në gjuhën serbe kanë krijuar dhe shpërndarë më shumë përmbajtje keqinformuese lidhur me zhvillimet politike, ndërkaq mediat në gjuhën shqipe kanë shfrytëzuar më shumë çështjet sociale për të shpërndarë përmbajtje të tillë.

Sa i përket ndikimit të jashtëm nëpërmjet përhapjes së keqinformimit, ai thotë se më shumë bien në sy mediumet e financuara nga Rusia.

“Ndikimi kryesor është prej mediumeve të financuara nga Rusia si ‘Russia Today’ në gjuhën serbe por edhe ‘Sputnik’ – portali informativ. Nëpërmjet tyre kryesisht përçohet narracioni dezinformues kundër Kosovës. Kohëve të fundit e kanë ndërlidhur me luftën në Ukrainë ku për shembull agresionin rus në Ukrainë janë munduar ta lidhin me intervenimin e NATO-s në Kosovë, aneksimin e Krimesë me pavarësimin e Kosovës”, thotë zoti Rizanaj.

E vërteta kundër dezinformimit dhe luftimi i ndikimit të huaj keqdashës në Ballkanin Perëndimor ishte temë diskutimi të enjten në kuadër të veprimtarive të Samitit të Paqes dhe Demokracisë i cili po mbahet këto ditë në Prishtinë.

Kryetari Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, tha se rritja e shkallës së përhapjes së keqinformimit ka çuar në rënien e besueshmërisë së medieve në vend.

“Në Kosovë besimi në media është 64 për qind, krahasuar me vendet tjera të rajonit kjo shifër megjithatë është e mirë, sidoqoftë nëse përllogaritet mesatarja në tërë rajonin besimi në media është 54 për qind. Kjo do të thotë që besimi në media është duke rënë me shpejtësi dhe kjo situatë po krijon sfida të reja”, tha ai.

Gazetarja, Ana Marija Ivkoviq, e cila vepron në veri të Kosovës, tha se keqinformimi gjatë periudhave me tensione në veri po shkakton përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.

“Ka disa ngjashmëri nëse shikohen mediat nga të dy palët, shqiptare dhe serbe, sepse lajmet e rreme që përhapen nga to po përshkallëzojnë situatën në periudha kur ka ndonjë tensionim politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e posaçërisht kur bëhet fjalë për veriun e Kosovës”, tha ajo.

Pjesëmarrësit vlerësuan se ndër hapat e nevojshëm për të parandaluar këto dukuri janë plotësimi i kuadrit ligjor që rregullon median online dhe futja e lëndës së edukimit medial në shkollimin parauniversitar.

XS
SM
MD
LG