Lidhje

Shtetet e Bashkuara nderojnë punëtorët në Ditën e Punës


Shtetet e Bashkuara po nderojnë këtë të hënë të 4 shtatorit afro 160 milionë punëtorë amerikanë, në Ditën e Punës, që jozyrtarisht shënon mbarimin e verës dhe u jep familjeve një mundësi të fundit për t'u bërë bashkë me miqtë dhe të afërmit, para fillimit të vitit shkollor, në disa komunitete, ku shkollat nuk kanë nisur ende.

Festa kombëtare, e shpallur zyrtarisht në vitin 1894, lindi si një nderim për punëtorët amerikanë, të cilët shpesh përballeshin me kushte të vështira pune, në fund të shekullit të 19-të, turne prej 12-orësh, punë shtatë ditë në javë, pagesë të ulët për punë të vështira fizike.

Tani kjo ditë është një ditë feste, me disa parakalime të organizuara, ndërsa shumë amerikanë mblidhen bashkë dhe gatuajnë ushqime në ambjent të hapur.

Ndërsa mosmarrëveshjet lidhur me kushtet e punës dhe pagën mbeten ende të zakonshme në SHBA, si për shembull bisedimet mbi kontratat e punonjësve të automjeteve, afatet e të cilave po skadojnë, shumë mosmarrëveshje po i përshtaten kohës që jetojmë dhe ato nuk kanë të bëjnë vetëm me pagën e punëtorëve.

Disa biznese janë përfshirë në mosmarrëveshje me personelin, lidhur me faktin nëse duhet t'u kërkohet të kthehen me kohë të plotë ose të paktën me kohë të pjesshme në zyrë, në vendin e punës, pasi kanë punuar pothuajse tërësisht nga shtëpia, për më shumë se tre vjet, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Mosmarrëveshje të tjera janë shfaqur mbi përdorimin e inteligjencës artificiale, se si ajo po ndikon në produktivitetin e punës së kompanive dhe nëse punëtorët mund të humbasin vendet e tyre për shkak të përdorimit të saj.

Fuqia punëtore e organizuar në sindikata, po bie vit pas viti, megjithatë në total numëron 14 milionë punëtorë.

Demokratët gjejnë tek ta përkrahje të vazhdueshme në zgjedhje, edhe pse një segment i punonjësve konservatorë, në disa qytete industriale e nuk janë më besnikë të partisë, por po anojnë drejt republikanëve edhe pse drejtuesit e sindikatave, kryesisht, vazhdojnë të mbështesin demokratët.

Presidenti demokrat i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili shpesh e cilëson veten si presidenti më pro-sindikatave në historinë e SHBA-ve, po viziton qytetin lindor të Filadelfias këtë të hënë, për paradën vjetore me rastin e Ditës së Punës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden.

Sondazhet kombëtare tregojnë se zoti Biden, që kandidon për rizgjedhje në vitin 2024, po përpiqet të fitojë besimin e votuesve për mënyrën se si ka drejtuar ekonominë amerikane.

Gjatë 2 viteve e gjysmë në detyrë të Presidentit Biden, ekonomia amerikane ka hapur më shumë se 13 milionë vende të reja pune, më shumë se gjatë çdo presidence tjetër në të njëjtin hark kohor, megjithëse disa pozicione plotësuan vendet që mbetën bosh si pasoje e pandemisë.

Departamenti i Punës raportoi të premten hapjen e 187,000 vendeve të reja të punës nga sipërmarrësit gjatë muajit gusht, më pak se në disa muaj të mëparshëm, por gjithsesi një numër i konsiderueshëm përballë rritjes së normave të interesit të vendosura nga Rezerva Federale, banka qendrore e vendit.

Shkalla e papunësisë në SHBA u rrit nga 3.5% në 3.8%, niveli më i lartë që nga shkurti i vitit 2022, por gjithsesi pranë nivelit më të ulët në 5 dekada. Ekonomistët, megjithatë, thanë se shkalla e papunësisë ishte më e lartë për një arsye inkurajuese: 736,000 persona filluan të kërkonin punë në gusht, një shenjë që tregonte se ata mendonin se mund të gjenin një punë, edhe nëse nuk punësoheshin menjëherë.

XS
SM
MD
LG