Lidhje

Kosovë, gjykata vendos kundër planeve për ndërtimin fabrikës së çimentos në Klinë


Pollution in Klina
Pollution in Klina

Një gjykatë në Kosovë vendosi kundër planeve për ndërtimin e një fabrike të çimentos në komunën e Klinës, rreth 60 kilometra larg kryeqytetit. Banorët e zonave përreth, të cilët kanë kundërshtuar në vazhdimësi idenë e ndërtimit të kësaj fabrike për shkak të shqetësimeve mbi pasojat e saj në mjedis, thonë se janë të lehtësuar pas vendimit të gjykatës.

Në vitin 2019, në fshatin Dollc të komunës së Klinës në Kosovën qendrore, një kompani private kishte planifikuar ndërtimin e një fabrike të çimentos, duke nxitur reagimin e ashpër të banorëve të shqetësuar për pasojat që mund të kishte për mjedisin.

Kosovë, gjykata vendos kundër planeve për ndërtimin fabrikës së çimentos në Klinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00


Të martën banorët ishin të lehëtsuar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi kundër planeve për ndërtimin fabrikës, pas protestave të të banorëve dhe orgnziatave për mbrojtjen e mjedisit.

“Shumë e rëndësishme për neve si familjarë, si qytetarë të kësaj zone në të cilën brezat me shekuj e kanë ruajtur ambientin dhe ne jemi edukuar në atë frymë dhe sigurisht se nëse do të ndërtohej kjo fabrikë atëherë për ne do të ishte pikëpyetje e madhe nëse do të vazhdonim apo jo të jetonim në këtë vend”, thotë Shaqir Gashi nga fshati Gremnik.

“Në rend të parë ne kemi dashur ta kemi ambientin e shëndoshë dhe të pastër. Këtu mbi katër mijë banorë që i kanë këto dy – tri fshatra të cilët kanë shpenzuar shumë për shtëpitë e tyre. Ne dhe zonat e tjera të rrafshit të Dukagjinit është dashur t’i lëshojmë të gjitha”, thotë Josip Dedaj nga fshati Dresnik.

Në vitin 2019 kompania Wallingford International Kosova nisi procedurat për marrjen e lejes së ndërtimit të fabrikës por për shkak të kundërshtimit të banorëve ministria e Ambientit kishte pezulluar të gjitha procedurat në pritje të vendimit të gjykatës.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestave, Veton Rraci, tha të martën se pas vendimit të gjykatës, Ministria e Ambientit duhet ta kthejë pezullimin në vendim të përhershëm.

“Drejtoria e urbanizmit dhe mbrojtjes së mjedisit obligohet që t’i anulojë të gjitha pëlqimet e lëshuara për guroret e lëndës së parë për fabrikën e çimentos, si në pikën një dhe dy të këtij vendimi. Tani ky vendim është i plotfuqishëm dhe presim zbatimin e çdo pike të tij nga pushteti lokal në Klinë. Që nga fillimi qytetarët e organizuar për kundërshtimin e ndërtimit të kësaj fabrike kishin diktuar shumë parregullsi përgjatë pajisjes së operatorit me dokumentacion”, tha ai.

Zëri i Amerikës bëri përpjekje që të kontaktojë kompaninë Wallingford International Kosova për të marrë qëndrimin e saj rreth kësaj çështjeje, por numri i telefonit dhe adresa elektronike në faqen e saj të internetit, nuk funksionuan.

Ndotja e mjedisit në Kosovë sipas studimeve të organizatave të ndryshme tejkalon normat e përcaktuara me standardet evropiane. Në raportin e fundit vjetor të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës thuhet se ndonëse janë miratuar strategji e plane veprimi për të gjithë sektorët mjedisorë në nivel qendror e lokal, shkalla e zbatimit të tyre është e pjesshme, ndërsa theksohet se veprimtaritë që dëmtojnë mjedisin janë ende në numër shqetësues.

XS
SM
MD
LG