Lidhje

Shqipëri-Greqi, Rama: Marrëdhëniet jo peng i politikës së brendshme fisnore 


Në Shqipëri kryeministri Edi Rama tha sot se "është me shumë rrezik që marëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë të jenë peng i politikës së brendshme fisnore". Përmes një postimi në rrjetin social X, zoti Rama reagoi pas darkës së organizuar mbrëmë në Athinë nga kryeministri grek Kyriakos Micotaqis, me udhëheqësit e vendeve të rajonit të Ballkanit, për të shënuar 20 vjetorin e takimit BE-Ballkani Perëndimor në Selanik që kishte për synim të përshpejtonte përpjekjet e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në vend të zotit Rama, u ftua presidenti Bajram Begaj, i cili e refuzoi ftesën “për shkak të agjendës së përcaktuar më herët”.

Anashkalimi i kryeministrit shqiptar ishte një shenjë e qartë e krisjes së fortë mes Tiranës dhe Athinës për çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, përfaqësues i minoritetit grek, i arrestuar dy ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, nën dyshimet për shitblerje të votave. Zoti Beleri ndodhet në paraburgim dhe i ka hedhur poshtë akuzat si të motivuara politikisht, ndërsa Athina ka bërë thirrje të përsëritura për lirimin e tij.

Javën e shkuar në Himarë, organizata e pakicës greke “Omonia” organizoi një protestë, ku morën pjesë dhe kryetarët e bashkive të dy qyteteve më të mëdha greke, Athinës dhe Selanikut dhe bashkive fqinje Igumenicës dhe Korfuzit.

Në postimin e tij, zoti Rama u shpreh hapur se darka ishte "përdorur për t'i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës". Ai shtoi më tutje se e kupton presionin e palëve të treta, të etura për të shfrytëzuar çdo rast për të bërë një mal nga një pirg dheu". Por sipas tij, "ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës tonë është më e madhe se ajo që na ndan ", shkruajti zoti Rama.

XS
SM
MD
LG