Lidhje

SHBA, disa qarqe të Oregonit votojnë për t'u bashkuar me Ajdahon


Mormon crickets make their way over a Jersey barrier during the migration of Mormon crickets, June 17, 2023, in Spring Creek, Nevada.
Mormon crickets make their way over a Jersey barrier during the migration of Mormon crickets, June 17, 2023, in Spring Creek, Nevada.

Dy të tretat e amerikanëve thonë se vendi i tyre është më i ndarë se zakonisht. Rezultatet e votimeve që mbahen në SHBA tregojnë se dallimet janë veçanërisht të theksuara midis njerëzve që jetojnë në zonat rurale dhe atyre në zonat urbane. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deborah Bloom, në rajonet veriperëndimore, disa votues ruralë tanimë kanë votuar që të largohen nga shteti i tyre.

Në pjesën rurale të Oregonit, 12 qarqe kanë votuar për t'u larguar nga shteti dhe për të filluar bisedimet për t'u bashkuar me shtetin fqinj të Ajdëhos. Qarku Ualloua është zona më e fundit që mbështet këtë lëvizje. Familja e fermerit Bob Stangel ka jetuar këtu për breza të tërë.

Momentalisht në Shtetet e Bashkuara, ka shumë lëvizje për të drejtat, privilegjet dhe tolerancën për pakicat. Unë mendoj se ka një pakicë të madhe që është lënë jashtë këtij diskutimi dhe kjo pakicë janë konservatorët”, thotë zoti Stangel.

Ai votoi për të ndryshuar kufirin lindor të Oregonit për të shkëpur pjesë të mëdha rurale të shtetit duke ia bashkuar ato shtetit fqinj të Ajdëhos, ku guvernatori dhe shumica e asamblesë së shtetit janë republikanë. Në Oregon, demokratët janë në kontroll të këtyre pushteteve.

Liberalët ose demokratët janë në pushtet në 40 vitet e fundit. Konservatorëve u vjen rëndë që u thuhet vazhdimisht se si të jetojnë jetën e tyre”, thotë fermeri amerikan, Bob Stangel.

Lëvizja “Greater Idaho” apo “Ajdëho e Madhe” është një përpjekje që është larg realizimit. Rishikimi i kufijve të shteteve, kërkon miratimin nga legjislaturat e të dy shteteve si dhe nga Kongresi në Uashington. Rezultati i këtyre votimeve gjithashtu nuk ka efekt detyrues.

Konservatorët e Oregonit thonë se votimet në këto qarqe qendrore dhe lindore kanë gjithashtu qëllim që t’u dërgojnë mesazh ligjvënësve në kryeqytetin e shtetit.

Pensionistja Elnora Cameron, gjithashtu banore e qarkut Ualloua, votoi për të qëndruar në Oregon, por thotë se i kupton zhgënjimet që nxisin lëvizje të tilla.

Unë jetoj ketu dhe nuk dua të jetoj në Ajdëho sipas ligjeve dhe rregulloreve të tyre. E vetmja gjë e mirë që shoh nga kjo është, se ndoshta kjo lëvizje e nxit bisedën që duhet të ndodhë midis anës perëndimore dhe asaj lindore të vendit, sepse kjo nuk po ndodh pa arsye”, thotë zonja Cameron.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale, kandidati republikan Donald Trump fitoi në qarqet lindore të Oregonit. Presidenti Joe Biden megjithatë fitoi në gjithë shtetin, sepse shumica e popullsisë jeton në zonat urbane dhe periferike në perëndim të Oregonit, ku banorët votojnë kryesisht për demokratët. Sipas profesorit të shkencave politike në Universitetin e Oregonit, Joe Lowndes ekziston një dallim midis Amerikës urbane dhe asaj rurale, që në Oregon i bën republikanët të ndjejnë se nuk kanë më zë.

Kjo lëvizje me të vërtetë pasqyron një polarizim politik që ka ndodhur në shtetin ku Partia Republikane ka përqafuar politika të ekstremit të djathtë dhe është larguar nga aty ku ka qenë vetëm disa dekada më parë. Ata thonë se kanë shumë më tepër të përbashkëta me Ajdëhon sesa me Oregonin perëndimor, të cilin e shohin si zonë tërësisht liberale”, thotë profesori Lowndes.

Ligjvënësit republikanë u larguan nga legjislatura e shtetit më 3 maj në shenjë proteste ndaj një projektligji që ofronte lehtësime për abortin dhe zgjeronte kujdesin shëndetësor për transgjinorët.

Bojkoti i tyre bllokoi miratimin e çdo projektligji për gjashtë javë.

Ndërkaq, lëvizja ‘Greater Idaho’ shpreson të zgjerojë mbështetjen në qarqet qendrore dhe lindore të Oregonit. Fushata e saj varet nga mobilizimi i konservatorëve si fermeri Bob Stangel për të shprehur pakënaqësinë e tyre në kutinë e votimit dhe për të votuar për ndryshime që momentalisht duken si të parealizueshme.

XS
SM
MD
LG