Lidhje

Studimi: Ecja me 4000 hapa në ditë ul rrezikun e vdekjes


Parku i Gërmisë
Parku i Gërmisë

Një studim i ri thotë se ecja me 4000 hapa në ditë e zvogëlon rrezikun e vdekjes nga çdo shkak. Sipas studimit, nevojiten më pak hapa në ditë për të reduktuar mundësinë e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, por përfitimet shëndetësore të ecjes rriten ndjeshëm me rritjen e hapave të ecjes.

Parku i Gërmisë në Prishtinë është i mbushur me njerëz, të cilët shpresojnë se ecja do të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit të tyre.

Sipas një studimi të ri, përpjekja e tyre nuk është e kotë. Studimi i botuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese thotë se vetëm 4000 hapa në ditë zvogëlojnë shanset e vdekjes nga çdo shkak.

Studiuesit kryen analiza të reja të mbi 226 mijë rasteve nga 17 studime të ndryshme të mëparshme në mbarë botën që ndoqën pjesëmarrësit për një mesatare prej shtatë vjetësh.

Ata zbuluan se numri i hapave që duhet bërë çdo ditë për të parë përfitime për shëndetin ishte më i ulët se sa mendohej më parë.

Madje pak më pak se vetëm 2250 hapa në ditë reduktojnë rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.

“Kjo meta-analizë është e para që vlerëson jo vetëm ecjen deri në 20 mijë hapa në ditë, por edhe ndikimin e moshës, gjinisë dhe shtrirjes gjeografike në përfitimet shëndetësore të njeriut që lidhen me ecjen”,

thotë kardiologia Ibadete Bytyçi nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Prishtinë, një nga autorët e studimit.

Një rritje prej 1000 hapash në ditë shoqërohet me 15 për qind ulje të rrezikut të vdekjes nga çdo shkak dhe një rritje ditore prej 500 hapash me një ulje prej 7 për qind të vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare, thotë studimi.

Kjo vlen si për burrat ashtu edhe për gratë, pavarësisht nga mosha dhe klima në të cilën ata jetojnë.

Studiuesit, të udhëhequr nga Maciej Banach, Profesor i Kardiologjisë në Universitetin Mjekësor të Lodz-it në Poloni, i cili gjithashtu është profesor me orar të shkurtuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins, zbuluan se edhe nëse njerëzit ecnin më shumë 20 mijë hapa në ditë, përfitimet shëndetësore vazhduan të rriteshin. Ata nuk kanë gjetur një kufi të sipërm.

Studimet kanë treguar se aktiviteti i pamjaftueshëm fizik prek më shumë se një të katërtën e popullsisë së botës.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ky është shkaktari i katërt më i madh i vdekjeve në botë, me 3.2 milionë vdekje në vit që lidhen me mungesën e aktivitetit fizik.

Në Prishtinë, një numër njerëzish tashmë po e marrin me seriozitet ecjen, duke këmbëngulur se ata dhe miqtë e tyre janë një dëshmi e përfitimeve të saj.

“Më pëlqen të eci sepse është një aktivitet i mirë për shëndetin. Unë dal dy herë në ditë dhe eci 10 deri në 15 kilometra. Unë njoh shumë njerëz që kishin probleme shumë serioze shëndetësore dhe tani për shkak të ecjes ndihen shumë më mirë”, thotë 61 vjeçarja Sabrie Aliu.

Erodit Hashani, 36 vjeç, pajtohet me këtë vlerësim.

“Kam lexuar se nëse bëni 4000 hapa në ditë, duke ecur ose vrapuar, mund të keni përfitime shëndetësore si ulja e shkallës së yndyrës në trup. Kjo është arsyeja ime kryesore e ecjes dhe vrapit”, thotë ai.

XS
SM
MD
LG