Zyrtarët meksikanë u takuan më 25 korrik me zyrtarët amerikanë dhe kanadezë në Meksikë, për të diskutuar rreth përpjekjeve për të luftuar trafikimin e opioidit sintentik, fentanylit. Për të kuptuar këtë problem, Zëri i Amerikës bisedoi me disa ish-përdorues të fentanylit në një qendër rehabilitimi në Uashington.
“Fillimisht, për shume vite, mjeku më kishte dhënë recetë për opioide. Më pas, pasi humba sigurimin dhe me ligjet e rrepta për kontrollin e tyre, forma më e lehtë ishte që t’i blija ato nga dikush në rrugë”, thotë Megan DeFranco, një ish përdoruese e Fentanylit.
Ajo është në mesin e 75 për qind i të varurve nga opioidet, të cilët, Institutiti Kombëtar i Shëndetësisë, thotë se e nisën përdorimin e tyre me recetë nga mjekut.
“Njerëzit nuk zgjedhin ta përdorin atë. Unë mendoja se po përdorja diçka që ishte me recetë”, thotë zonja DeFranco.
Ilaçi “OxyContin” dikur dominonte tregun e ligjshëm dhe të paligjshëm të opioideve.
Por tani, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, fentanyli, që kryesisht prodhohet në formë të paligjshme, është shkaktari i shumicës së vdekjeve nga opioideve.
Johnny Bailey është me qendrën rehabilieuse “HIPS” në Uashington.
“Fentanyli është pothuajse shkaktari i të çdo vdekjeje. Mbi 90 për qind e mbidozave fatale, janë si pasojë e fentanylit”, thotë zoti Bailey.
Sipas Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, më shumë se 150 njerëz vdesin çdo ditë, si pasojë e mbidozave që lidhen me opioidet sintetike si fentanyli.
“Është shumë dëshpëruese, sepse jemi zhytur në vdekje, varfëri dhe probleme tjera”, thotë zoti Bailey.
Vdekja e një të afërmi të zonjës DeFranco, bëri që ajo të ndalonte përdorimin e drogës. Ajo nisi rehabilitimin në grupin “HIPS”.
“Rehabilitimi nuk ishte i lehtë, sepse keni shumë mendime në kokë… Por, ia dola. U deshën disa përpjekje. Është si një epidemi”, thotë ish-përdoruesja.
Instituti Kombëtar për Abuzimin e Drogave thotë se 40 deri në 60 për qind e njerëzve që mundohen të heqin dorë nga drogat hasin në vështirësi.
Johhny Bailey është një nga të rehabilituarit.
"Po mbush 10 vite. Pasi e mblodha veten, u ktheva në shkollë për të marrë diplomën për punë sociale, sepse misioni im ishte t’u ofroja njerëzve gjërat që unë do të doja t’i kisha. Dikur isha i papunë, një i gjunjëzuar, që ka lënë shkollën dhe i divorcuar. Tani jam i martuar. Është fantastike”, thotë ai.
Opioidet janë një problem global, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Qendrave kombëtare të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, opioidet janë shkaktarët kryesorë të vdejeve si pasojë e mbidozës.