Lidhje

Lajçak: U pajtuam me kryenegociatorin Bislimi për hapat e parë drejt shtensionimit


EU/KOSOVO
EU/KOSOVO

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, tha të hënën se ka rënë dakord me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veri, pa dhënë më shumë hollësi rreth tyre.

“Zhvillova diskutime të ngjeshura sot në Bratislavë me zotin Bislimi rreth shtensionimit të situatës në veri të Kosovës sipas kërkesave evropiane të shtruara me tre qershor si dhe për rrugën e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog”, shkroi ai në Twitter.

Zoti Bislimi tha në një njoftim në rrjete sociale se ka biseduar me zotin Lajçak rreth hapave të ardhshëm për zbatimin “e plotë dhe dhe të drejtë” të marrëveshjes dhe planit të zbatimit të saj.

“U pajtuam për hapat e nevojshëm për të siguruar shtensionimin efektiv dhe sipas ligjit, për përqendrimin në normalizim dhe zbatim të sundimit të ligjit”, shkroi ai në Twitter.

Zoti Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë e Beograd javën që shkoi paralajmëroi se përpjekjet e diplomacisë perëndimore për shtensiomin e situatës dhe kthimin e palëve në dialog do të vazhdojnë.

Perëndimi kërkon uljen e tensioneve përmes një plani evropian që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

Ndonëse udhëheqësit e të dyja vendeve janë zotuar për shtensionimin e situatës, ende nuk ka ndonjë hap konkret nga asnjëra palë për zbatimin e kërkesave perëndimore.

Qeveria e Kosovës është kritikuar nga diplomacia perëndimore dhe është vënë në masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veriun e saj ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të bojkotuara nga partitë serbe.

Partitë opozitare në Kosovë thanë të hënën se do të bojkotojnë të gjitha votimet në parlament, në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së qeverisë mbi krizën në veri të vendit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi gjatë vazhdimit të një mbledhjeje të mëhershme të parlamentit kërkoi organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

“T’ia kthejmë mandatin qytetarëve dhe të vendosin ata nëse janë të interesuar vërtetë të vazhdojë Kosova në këtë rrugë që e keni futur ju si shumicë paralamentare dhe qeveri, apo kanë mendim tjetër. Sepse kur ju kanë votuar nuk ju kanë votuar për këtë rrugë të konfrontimit e të theqafjes në të cilën sot e keni vendosur këtë vend”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se veprimet e qeverisë kundrejt situatës së sigurisë në veri dhe aletatëve perëndimorë, po e izolojnë vendin.

“Të gjitha votimet e në të gjitha nivelet duke filluar nga kryesia, komisionet dhe seancat, nuk do të ndodhin. Arsyeja është shumë e thjeshtë, vendi është në një qorrsokak dhe zgjidhja e vetme është mocioni i cili do të prodhojë zgjedhje”, tha zoti Tahiri.

Kryesia e parlamentit të Kosovës dështoi sot të caktonte seancë të re parlamentare për këtë javë, në mungesë të përfaqësuesve të partive politike opozitare.

Shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvëndosje në pushtet, Mimoza Kusari – Lila tha se bojkotimi që po bëjnë partitë opozitare është i paarsyeshëm.

“Ne i konsiderojmë këto veprime plotësisht të papranueshme dhe të paarsyeshme dhe natyrisht që ndoshta dëmi më i madh që i bëhet vendit në një situatë kur do të duhej të kishte mobilizim të institucioneve e sidomos të kuvendit, duke marrë parasysh se kemi ligje të cilat kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve”, tha ajo.

Oopozita në Kosovë ka paralajmëruar më herët se do të ndërmarrë një sërë veprimesh për të kundërshtuar qasjen e qeverisë ndaj krizës në veri, duke ngritur shqetësimin për dëmtim të marrëdhëniëve me aleatët për shkak të mungesës së bashkërendimit me ta.

XS
SM
MD
LG