Ndërsa tensionet u rritën brenda Rusisë midis qeverisë dhe grupit ushtarak privat Wagner, ushtria ukrainase tha ka vazhduar me të njëjtin intensitet luftën e saj me Rusinë. Forcat ukrainas po vazhdojnë kundërofensivën e tyre pavarësisht zhvillimeve brenda Rusisë.
Ndërsa shumë ukrainas ndoqën me ankth kaosin e fundit në Rusi, duke shpresuar se armiku i tyre të paktën do të dobësohej, ushtarët në vijën e parë të frontit vazhduan luftën.
Ata thonë se nuk ka patur ndryshime të dukshme në terren dhe se forcat ruse vazhdojnë të sulmojnë me artileri forcat ukrainase, të angazhuara në ofensivën për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.
“Kur jemi në ofensivë dhe fillimisht qëllojmë me artileri, shumica e ushtarëve rusë largohen nga pozicionet e tyre. Një numër vogël qëndrojnë, ndoshta dy ose tre ushtarë. Ndaj tyre përdorim granata, dhe kjo i jep fund operacionit”, thotë Bogdani, një ushtar ukrainas.
Ashtu si shumë ushtarë që po luftojnë në kundërofensivën disa javore të Ukrainës, ai thotë se ka dëgjuar ushtarë rusë duke u ankuar për mungesë municioni dhe përforcimesh.
Por ushtarët ukrainas thonë gjithashtu se betejat kanë qenë të ashpra, pasi trupat ruse kanë patur më shumë se një vit kohë për të fortifikuar pozicionet e tyre dhe për të hartuar strategji për mbrojtjen e këtyre zonave.
“Ofensiva dhe çlirimi i qyteteve nuk po përparojnë me shpejtësinë që ne do të dëshironim. Megjithatë, ka një përparim mjaft të mirë”, thotë Ivan, një mjek ushtarak ukrainas.
Ukraina po lufton për të rimarrë një zonë me fshatra dikur piktoreske, që tani janë shkatërruar pothuajse tërësisht nga lufta.
Në qytetet dhe qytezat më paqësore të Ukrainës, banorët shpresojnë që përçarjet brenda Rusisë do të përshpejtojnë përfundimin e kësaj lufte, por është e vështirë të bëhet një parashikim i saktë për këtë.
Ata shtojnë se është e qartë se vdekja dhe shkatërrimi që kanë përjetuar tashmë e bëjnë të pamundur një përfundim me nota pozitive të luftës.
“Shumë të rinj janë vrarë. Shumë njerëz të tjerë janë bërë invalidë lufte. Objektet mund të rindërtohen, por ne nuk mund të ringjallim njerëzit e vrarë”, thotë Valentina Yefimenko, banore e Zaporizhias.
Përveç bombardimeve për më shumë se një vit, Zaporizhia ka vuajtur edhe nga shkatërrimi i digës së lumit Dnipro, që shkaktoi vdekjen e dhjetëra njerëzve dhe përmbytje masive, duke rritur frikën e një krize ushqimore dhe të furnizimit me ujë.
Por në zonën e luftimit, ushtarët thonë se është e pamundur të parashikohen gjërat përtej asaj që ata thonë se është qëllimi i tyre më i afërt.
“Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur që lufta të përfundojë sa më shpejt. Unë do të thosha se jemi të motivuar. Ne duam të shkojmë në shtëpi. Ne e kuptojmë se nuk do të kthehemi në shtëpi derisa Ukraina të jetë e lirë dhe e paprekur”, thotë Yuri, një ushtar ukrainas.
Ai thotë se për ushtarët ukrainas, lufta do të përfundojë atëherë kur Ukraina të rimarrë të gjitha territoret e saj të pushtuara nga Rusia.