Lidhje

Kurti: Kemi shtrënguar masat e sigurisë në kufirin me Serbinë, nuk ka masa ekonomike apo tregtare


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se institucionet e sigurisë e kanë rritur shkallën e gatishmërisë dhe kanë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, në përgjigje të situatës së krijuar pas arrestimit të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe.

Kurti: Kemi shtrënguar masat e sigurisë në kufirin me Serbinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:45 0:00

Kryeministri Kurti mblodhi mëngjesin e së enjtes Këshillin e Sigurisë pas të cilit tha se “veprimi i djeshëm i Serbisë ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë dhe intencë për destabilizim” dhe për këtë arsye institucionet e sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë.

“Janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, sidomos për mjetet transportuese. Cenimi i djeshëm nga Serbia na detyron të rrisim kontrollet kufitare, edhe ndalesat e qarkullimit në raste kur mund të përbëjnë rrezik”, tha kryeministri Kurti.

Radhë të gjata kryesisht të kamionëve me mallra janë parë të enjten në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Kurti mohoi të ketë ndalim të hyrjes së mallrave nga Serbia duke theksuar se masat “nuk janë ekonomike apo tregtare, por janë masa të sigurisë".

Tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet dy vendeve u rritën të mërkurën pasi tre pjesëtarë të policisë kufitare të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe. Autoritetet në Kosovë thanë se bëhet fjalë për “rrëmbim klasik” të policëve nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës, ndërsa Beogradi thotë se ata janë arrestuar brenda territorit të Serbisë.

Kryeministri Kurti, cili tha se gjatë natës ka biseduar edhe me diplomatë amerikanë për situatën, kërkoi të enjten lirimin e menjëhershëm të policëve dhe bëri thirrje për trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë.

“Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime, motive dhe apetite, nuk është se po na befason me sjelljen e saj, ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorit ndërkombëtar ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për përshkallëzim dhe destabilizim”, tha ai.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë në një njoftim të mërkurën në mbrëmje se nuk kanë qenë të përfshira në ngjarjen me policët e Kosovës duke shtuar se janë “në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me atë që ka ndodhur”.

Ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka tha sot në parlament se ka biseduar për këtë çështje me komandantin e forcave të KFOR-it. “Ai ma bëri të qartë, që raporti që prodhohet ndahet vetëm me NATO-n", tha zonja Xhaçka.

Ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se duket që KFOR-i nuk do të dalë me përfundime publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. “Por, pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!”, shkroi kryeministri Rama në rrjetet sociale duke theksuar se që nga dje “jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre”!

Bashkimi Evropian tha se po e trajton si “çështje urgjente” situatën e krijuar në Kosovë dhe është në kontakt me Prishtinën, Beogradin dhe me përfaqësuesit e KFOR-it, për të verifikuar ngjarjet në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ngjarja e djeshme ndodhi në një periudhë të trazuar në veri të Kosovës që ka nxitur shqetësimin e diplomatëve perëndimorë për mundësinë e ripërtëritjes së konflikteve në rajon dhe detyroi NATO-n të shtojë praninë e trupave të saj në terren.

Tensionet janë të larta që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Që nga fillimi i krizës diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar që Kosova të largojë menjëherë njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat në veri, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme në zonë si dhe të ulë shkallën e gatishmërisë ushtarake të shpallur më 26 maj.

Të mërkurën Bashkimi Evropian tha se ka përgatitur masa kufizuese ndaj Kosovës, disa prej të cilave hyjnë në fuqi menjëherë për shkak të siç thuhet, dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në komunat veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti nuk komentoi masat e BE-së, por ritheksoi gatishmërinë e tij për të çuar përpara një plan pesë pikësh për uljen e tensioneve që përfshinë edhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe. Por hapi i parë tha ai, është vendosja e sundimit të ligjit në veri të Kosovës, që do pasohej nga ulja e pranisë së forcave të posaçme të policisë.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, tha se plani i kryeministrit Kurti, nuk trajton elementet thelbësore që kanë nxitur krizën aktuale në veri.

XS
SM
MD
LG