Lidhje

Kosova ndalon hyrjen e makinave të Serbisë pas arrestimit të tre policëve të saj nga forcat serbe


Kosova ndaloi të mërkurën hyrjen e makinave me targa të Serbisë në territorin e saj në përgjigje ndaj arrestimit të tre pjesëtarëve të policisë nga forcat serbe.

“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve institucioneve të rendit”, tha zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu.

Policia e Kosovës tha se tre pjesëtarë të saj janë arrestuar nga autoritetet serbe në afërsi të kufirit me Serbinë, në një incident ende të paqartë që ka të ngjarë të rrisë tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet të dyja vendeve për shkak të zhvillimeve të javëve të fundit në veri të Kosovës.

Derisa policia e Kosovës tha se bëhet fjalë për “rrëmbim të organizuar klasik” brenda territorit të Kosovës, autoritetet serbe thanë se ata janë arrestuar brenda territorit të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se policët janë arrestuar rreth 300 metra brenda territorit të Kosovës, në një fshat të komunës së Leposaviçit që shtrihet në afërsi të kufirit me Serbinë. Ai tha se “hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”.

Prishtina kërkon lirimin e menjëhershëm të policëve dhe u ka bërë thirrje autoriteteve ndërkombëtare “të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha në një paraqitje në Radiotelevizionin e Serbisë se “asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk e ka kaluar kufirin me Kosovën” dhe sipas tij, policët e Kosovës janë arrestuar rreth 1.8 kilometra në brendi të territorit të Serbisë. Ai tha se ushtria e Serbisë ishte 20 kilometra larg vendit të arrestimit.

Presidenti serb akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se me çdo kusht dëshiron të “nxisë luftë dhe konflikte”, duke shtuar se rajoni ndodhet ne udhëkryq “ndërmjet luftës dhe paqes”.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët serbë thanë se Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe të kërkojë hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme.

Policia e Kosovës tha se forcat paqeruajtëse të NATO-s janë informuar dhe po trajtojnë rastin.

“KFOR nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e sotme sa i përket tre policëve të Kosovës dhe në fakt është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me atë që ka nddohur", thanë forcat paqeruajtëse në një njoftim.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se po blloku po e trajton si “çështje urgjente” situatën e krijuar në Kosovë dhe është në kontakt me Prishtinën, Beogradin dhe me përfaqësuesit e KFOR-it, për të verifikuar ngjarjet në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi Peter Stano u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të nxisë më tej në ngritjen e tensioneve në një periudhë kur ato edhe ashtu janë të larta në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

XS
SM
MD
LG