Departamenti i Drejtësisë ka ngritur padi ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për mbajtje të paligjshme të dokumentave të klasifikuara të qeverisë, në Mar-a-Lago, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, si edhe për pengim të drejtësisë. Ja një vështrim ndaj hapave të mëtejshme.
ÇFARË NDODH MË PAS?
Ish-presidenti Trump, i cili tha të enjten se është i pafajshëm, pritet të paraqitet për herë të parë para gjykatës federale në Florida, të martën.
Menjëherë pasi zotit Trump të paraqitet në gjykatë, prokurorët do të fillojnë t'u dorëzojnë provat avokatëve të tij. Ato mund të përfshijnë korrespondencën mes avokatëve të zotit Trump, Arkivës Kombëtare dhe prokurorëve federalë, ndërsa komunikonin për dorëzimin e dokumenteve.
Në një moment të caktuar gjatë procesit, avokatët e ish-presidentit Trump pritet të paraqesin një mocion për pushimin e çështjes për një sërë arsyesh, përfshirë pretendimin e tij se ai i kishte deklasifikuar dokumentet përpara se t'i merrte ato.
Ata gjithashtu ka të ngjarë të argumentojnë se çështja duhet të pezullohet, për shkak të atyre që ata thonë, se janë shkelje nga prokurorët, përfshirë ato të një doktrine ligjore, që i lejon personat t’i mbajnë private komunikimet me avokatët e tyre.
Kërkesat për pushimin e çështjeve penale janë diçka e zakonshme, por rrallëherë të suksesshme, pasi të pandehurit duhet të bindin gjykatësin se çështja e tyre ka aq shumë mangësi, saqë nuk e meriton të paraqitet para jurisë.
ÇFARË NDIKIM DO TË KETË ÇËSHTJA TEK FUSHATA PRESIDENCIALE E ZOTIT TRUMP?
Akuzat përfshijnë shkelje të ligjit të spiunazhit, pengim të drejtësisë, dhënie të deklaratave të rreme para hetuesve dhe konspiracion, sipas televizionit ABC. Asnjëra prej tyre nuk e pengon automatikisht zotin Trump të bëjë fushatë dhe, edhe nëse shpallet fajtor, të ushtrojë detyrën e presidentit, nëse zgjidhet.
Është i paqartë ndikimi që do të ketë çështja tek mbështetja e votuesve për zotin Trump. Përqindja e mbështetjes për ish-presidentin u rrit pasi ndaj tij u ngrit një aktpadi tjetër në një çështje tjetër në Nju Jork në prill dhe ai vazhdon të jetë kandidati kryesor mes republikanëve.
Ai i ka shfrytëzuar çështjet dhe hetimet me të cilat përballet, si instrumente për mbledhjen e fondeve, duke u thënë mbështetësve se është nën sulm dhe ka nevojë për ndihmën e tyre.
Zyrtarë të ekipit të tij elektoral, thanë në prill se kontributet u rritën pasi ai u padit në Nju Jork.
KUR SHKON PËR GJYKIM ÇËSHTJA?
Mund të kalojnë disa muaj para se të fillojë një gjyq i mundshëm.
Ish-presidenti Trump, i cili ka mohuar të ketë bërë shkelje dhe e quan padinë një "gjueti shtrigash", të motivuar politikisht, ka të drejtë të dalë në gjyq brenda 100 ditëve, por kjo rrallë ndodh në raste komplekse.
Palët ka të ngjarë të bien dakord t’i zgjasin afatet, ndërsa shqyrtojnë provat dhe paraqesin argumentet ligjore përpara gjykatësit.
A DO TË DËSHMOJË ZOTI TRUMP?
Kjo do të varet nga ai. Të pandehurve për vepra penale nuk u kërkohet të dëshmojnë dhe ata rrallëherë e bëjnë këtë, sepse marrja e tyre në pyetje nga prokurorët, paraqet rrezik për ta.
Zoti Trump nuk dëshmoi në një proces gjyqësor kohët e fundit mbi pretendimet për abuzim seksual dhe shpifje të ngritura kundër tij nga autorja E. Jean Carroll.
Juria e gjeti atë fajtor dhe i ka kërkuar ish-presidentit t’i paguajë asaj 5 milionë dollarë dëmshpërblim për abuzim seksual dhe shpifje.
ÇFARË NDODH ME ÇËSHTJEN NËSE ZOTI TRUMP FITON ZGJEDHJET?
Nuk ka gjasa që prokuroria ta vazhdojë çështjen nëse zoti Trump fiton zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë është pjesë e ekzekutivit dhe presidentët janë zyrtarët më të lartë federalë të zbatimit të ligjit në vend.
Në përgjithësi varet prej tyre nëse prokurorët federalë shërbejnë në Departamentin e Drejtësisë.
Ky Departament, prej dekadash ndjek një politikë, sipas së cilës, një president në detyrë, nuk mund të ndiqet penalisht. Departamenti mund ta ndërpresë çështjen në "rrethana të jashtëzakonshme" me autorizim të prokurorit të përgjithshëm të SHBA-së.
Merrick Garland, Prokurori i Përgjithshëm që shërben aktualisht nën Presidentin Joe Biden, mund të jetë ende në detyrë, nëse ish-presidenti Trump fiton në zgjedhje dhe deri sa të ketë emëruar dikë tjetër dhe zoti Garland mund të vendosë ta vazhdojë gjyqin, por zoti Trump, si president, ka të drejtë ta shkarkojë atë dhe të vendosë një prokuror të përgjithshëm në detyrë, derisa Senati të konfirmojë kandidatin e tij për këtë post.