Lidhje

Hovenier: Anulohet pjesëmarrja e Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023”


Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha të martën se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri dhe ka krijuar një krizë të panevojshme, duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin.

Në një takim me një grup gazetarësh të medieve vendase, ai tha se kriza ishte e panevojshme dhe paraqet kthim prapa në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe siç ka thënë sekretari i Shtetit Antony Blinken do të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Shenja e parë e kësaj është vendimi i natës së kaluar i komandantit të Forcave amerikane në Evropë, Christopher Cavoli, për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet "Defender Europe 2023". Për Kosovën kjo stërvitje ka marrë fund”, tha ambasadori Hovenier.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti të marrë hapa për të shtensionuar situatën në veri, por ai nuk u është përgjigjur kërkesave.

“Po e shqyrtojmë çfarë hapash të tjerë do të ketë. Më duhet të them se në këtë moment, Shtetet e Bashkuara nuk kanë shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha ai duke shprehur keqardhjen për këto zhvillime.

Megjithatë ai shfaqi shpresën se kryeministri Kurti do ta pranojë këshillën amerikane dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri.

Ambasadori Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për qeverinë e Kosovës: të mos ngulë këmbë që kryetarët (që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga partitë serbe) të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen vende alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha ambasadori Hovenier, duke përmendur faktin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në vende alternative.

“Ne besojmë se prania e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ai duke theksuar se këto dy veprime do të ndihmonin në uljen e tensioneve.

I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë, paraqet kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan tha se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat marrëdhëniet janë të tensionuara, i mobilizojnë forcat e tyre.

“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e qeverisë së Kosovës, që e kanë krijuar këtë krize në veri”, tha ai duke nënvizuar se ulja e tensioneve do ta kthente vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët janë pajtuar në muajin mars.

"Të dyja palët duhet ta zbatojnë atë plotësisht. Ajo e zgjidh edhe situatën në veri. Kjo është një nga arsyet përse ne presim që qeveria të punojë urgjentisht në procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe", tha ambasadori Hovenier.

Kurti: Qetësimi i situatës, qëllim i përbashkët me partnerët ndërkombëtarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk komentoi sanksionet amerikane, por në një video mesazh në rrjetet sociale tha se ‘orëve të fundit, institucionet kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët”.

Ai tha se kryetarët e komunave veriore që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, “janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve. Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë. Demokracia nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng. Ushtrimi i saj është garant i paqes dhe sigurisë, assesi kërcënim apo rrezikim”.

Duke folur për dhunën e së hënës në veri ai tha se “u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve, se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë”.

Policia e Kosovës dhe KFOR-i tha mes tjerash kryeministri Kurti janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore.

“Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta”, tha ai.

Opozita në Kosovë e alarmuar më sanksionet amerikane

Opozita u shpreh ndërkaq e alarmuar me sanksionet amerikane dhe fajësoi kryeministri Kurti për mungesë bashkërendimi me aleatin kryesor të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës shprehu “zhgënjimin e thellë për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës me aleatët strategjikë të vendit tonë, që tashmë kanë filluar të rezultojnë me ndëshkime të drejtpërdrejta, pasi Kosova u përjashtua nga stërvitja më e madhe ndërkombëtare e NATO-s në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe 2023”. Ky përjashtim është shenjë konkrete e përkeqësimit të raporteve të Kosovës me SHBA-në dhe NATO-s dhe është paralajmërim për pasoja të tjera, nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk fillon të sillet në mënyrë të përgjegjshme”.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se zhvillimet në veri tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës dhe trupave të NATO-s.

“Por e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.

Nga përplasja me grupet kriminale në veri, thuhet në komunikatë, “qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë. Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Lidhjes Demokratike në të cilën theksohet se “arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë. Përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender 2023’ është hap në këtë drejtim”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkroi ndërkaq se “përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike”.

Ai shkroi se shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. “Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t'i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë”.

XS
SM
MD
LG