Lidhje

Protestuesit serbë përplasen me KFOR-in në veriun e Kosovës


Grupe qytetarësh serbë që u mblodhën të hënën para zyrave të komunave veriore për të penguar hyrjen e kryetarëve shqiptarë, u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Përplasjet filluan pasi ushtarët e KFOR-it u bënë thirrje serbëve që t'u hapin rrugën dy makinave të forcave të posaçme të policisë së Kosovës. Protestuesit serbë hodhën gaz lotsjellës, gurë e mjete të tjera të forta mbi pjesëtarët e NATO-s.

Forcat paqeruajtëse thanë se rreth 25 pjesëtarë të tyre mbetën të plagosur.

“Disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin cak i sulmeve të paprovokuara dhe pësuan lëndime me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve shpërthyese”, thuhet në një komunikatë të forcave të NATO-s.

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia, citohet të ketë thënë se sulmet e paprovokuara ndaj njësive të NATO-s janë të papranueshme dhe KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në mënyrë të paanshme”.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani tha se 11 ushtarë italianë janë në mesin e të plagosurve, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë, “por jashtë rrezikut për jetë”, duke shprehur solidaritetin me të gjithë ushtarët e plagosur.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dënoi sulmin ndaj paqeruajtësve ndërsa ths e “kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme. Ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it. Është thelbësore që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet e Kosovës dhe të gjitha palët e përfshira të ndihmojnë uljen e tensioneve. Angazhimi i qeverisë italiane për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor është maksimal dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë”, shkroi ajo.

Policia e Kosovës tha në një komunikatë se si “pasojë e dhunës së shfrenuar deri më tani janë plagosur disa zyrtarë të KFOR-it, si dhe deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar të cilët kanë përdorur sulme e dhunë ndaj tyre”.

Që nga mëngjesi i së hënës grupe protestuesish u mblodhën në përpjekje për të hyrë në ndërtesat e komunave, në të cilat kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, hynë të premten mes tensionesh dhe nën përcjelljen e policisë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara “dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, duke përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër trupave të KFOR-it që kërkojnë të ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, shkroi ai.

Ambasadori Hovenier, së bashku me diplomatët kryesor perëndimorë u takua pasdite me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të diskutuar situatën në veri.

Ai ritheksoi shqetësimin për zhvillimet në zonë dhe nevojën për të ulur tensionet, ndërsa tha se i është kërkuar kryeministrit Kurti të marra hapa për të siguruar shtensionimin.

“Ka pajtim se shtensionimi i situatës duhet të ndodhë, por nuk e di se si do të ndodhë. Atë që Shtetet e Bashkuara po kërkojnë është se ne besojmë se nuk është e nevojshme që kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të punojnë çdo ditë në ndërtesat komunale. Për një afat të shkurtër, ne rekomandojmë që kjo të mos bëhet. Ashtu siç qeveria ka qenë në gjendje të gjejë mënyra që kryetarët të betohen në ndërtesa alternative dhe ta shmangin konfliktin dhe percepcionin për ngritjen e tensioneve. Një qasje e tillë, do të duhej të aplikohej edhe për punën e tyre”, tha ambasadori Hovenier.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian Tomáš Szunyog, tha se “BE-ja i dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, përfshirë përdorimin e mjeteve shpërthyese kundër trupave të NATO-s. E ritheksojmë thirrjen tonë për ndaljen menjëhershme të dhunës dhe uljen e tensioneve”.

Dhuna u dënua edhe nga diplomatët tjerë perëndimorë dhe udhëheqës institucionesh.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, gazetarët e KFOR-in.

“Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e (presidentit serb Aleksandar) Vuçiçit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi ajo.

Kryeministri Albin Kurti shprehu ndërkaq shqetësimin për dhunën ndaj policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve.

“Mbishkrimet ultra-nacionaliste serbe mbi automjetet e NATO-s janë një kujtesë e errët në Kosovë. Ne mbrojmë paqen dhe sigurinë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Edi Rama: Kosova të dëgjojë aleatët

Kryeministri shqiptar Edi Rama, shkroi të hënën në mbrëmje se “lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova”, shkroi ai në rrjetet sociale.

“Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm”, shkroi kryeministri Rama.

“Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare!”, shkroi ai.

Vuçiç: Albin Kurti fajtor për gjendjen në veri

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është fajtor për situatën në veriun e Kosovës, ndërsa kritikoi forcat paqeruajtëse të NATO-s që nuk penguan hyrjen në ndërtesat komunale të kryetarëve shqiptarë, por këtë e bënë me serbët.

“Ndonëse kemi muaj që kemi thënë se Kurti ka vetëm një dëshirë dhe ajo është për të shkaktuar konflikte në Kosovë, pakkush ka dashur të dëgjojë të vërtetën. Ai dëshiron një konflikt mes NATO-s dhe serbëve”, tha presidenti serb, sipas të cilit përplasjet e sotme në Zveçan janë nisur nga KFOR-i.

Ai tha se 52 pjesëtarë të komunitetit serb janë plagosur, ndërsa akuzoi policinë e Kosovës të ketë shtënë me armë zjarri ndaj tyre.

“Ju bëj thirrje serbëve në Kosovë të mos hyjnë në konflikt me NATO-n, sepse Kurti e dëshiron këtë më së shumti”, tha presidenti serb në një konferencë me gazetarë, duke nënvizuar se “nuk do të lejojmë përndjekjen e popullit serb në Kosovë”.

Do të bëjmë gjithçka të ruajmë paqen, tha ai, “ndërsa bashkësia ndërkombëtare duhet ta sjellë në vete Albin Kurtin”.

Ministri i Jashtëm rus: Situata në Kosovë është alarmante

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov u tha gazetarëve të hënën gjatë vizitës së tij në Kenia se situata në Kosovë është “alarmante”.

“Perëndimi ka vendosur një kurs për nënshtrimin total të secilit që në njëfarë mënyre shpreh mendimin e vet”, tha ai duke iu referuar tensioneve të fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Serbët në veriun e Kosovës u përleshën me policinë në ndërtesën komunale të Zveçanit të hënën teksa u përpoqën të futeshin në objektin ku kryetari shqiptar hyri javën e kaluar me ndihmën e autoriteteve policore.

“Një shpërthim i madh po zien në qendër të Evropës, pikërisht në vendin ku në vitin 1999, NATO kreu agresion kundër Jugosllavisë duke shkelur çdo parim të mundshëm të Aktit Përfundimitar të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera të OSBE-së”, tha zoti Lavrov.

Që nga mëngjesi i së hënës grupe protestuesish serbë u mblodhën në përpjekje për të hyrë në ndërtesat e komunave, në të cilat kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, hynë të premten mes tensionesh dhe nën përcjelljen e policisë.

Forcat e policisë së Kosovës dhe trupat e KFOR-it të drejtuara nga NATO-ja shtuan praninë e tyre para ndërtesave të komunave.

Në Zveçan pati edhe gaz lotsjellës. Policia e Kosova tha se “protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për tu futur me dhunë në objektin e komunës. Policia është detyruar të përdor mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore politike të serbëve të Kosovës thanë se largimi i protestuesve nga rrugët do të ndodhë pas largimit të kryetarëve shqiptarë nga zyrat e komunave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë se KFOR-i ka shtuar praninë në katër komunat veriore të Kosovës, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes dhe u bëri thirrje palëve “të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensione ose të shkaktojnë përshkallëzim”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, u shpreh thellësisht i shqetësuar me situatën në veri pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai takoi gjatë ditës kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Zveçanit që janë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa me gjithë ftesën në takim nuk morën pjesë kryetarët e Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, që janë nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti.

“Qeveria amerikane dhe vendet e QUINT-it së bashku e kanë thënë se është e rëndësishme të shmangen rrethanat kur zyrtarët publikë hyjnë me dhunë në ndërtesat publike”, theksoi ai.

Përgjatë ditës grupe protestuesish sulmuan e dëmtuan makinate e disa ekipeve gazetarësh ndërsa njërës i vunë flakën.

Dhuna e së hënës pasoi tensionet e së premtes kur Serbia vuri ushtrinë në gatishmëri të lartë dhe dërgoi më shumë trupa në kufirin me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.

XS
SM
MD
LG