Lidhje

Inhat: Trajnimi i pilotëve për drejtimin e avionëve F-16, çështje parësore për Ukrainën   


Përpara se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të shkonte në takimin e Grupit të Shtatë vendeve më të zhvilluara të botës në Japoni, udhëheqësit e G-7 njoftuan javën e kaluar se do ta furnizonin Ukrainën me avionë luftarakë F-16 dhe do të trajnonin pilotët ukrainas.

Pas disa muajve të kërkesave të Ukrainës për avionë luftarakë perëndimorë, presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin një përpjekje të përbashkët ndërkombëtare për të trajnuar pilotët ukrainas për drejtimin e avionëve luftarakë modernë, përfshirë ata F-16.

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë Alexander Grushko të shtunën paralajmëroi vendet perëndimore se do të përballeshin me "rreziqe të mëdha" nëse do të furnizonin Ukrainën me avionë luftarakë F-16, tha agjencia e lajmeve TASS.

Të martën, Yurii Ihnat, zëdhënës i Komandës së Forcave Ajrore të Forcave të Ukrainës diskutoi çështjen e trajnimi të pilotëve ukrainas me shefen e Byrosë për Evropën Lindore të Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze.

Intervista e mëposhtme është redaktuar për qartësi.

Zëri i Amerikës: A ka filluar stërvitja e pilotëve? Dhe për sa kohë duhet të trajnohen ata?

Yurii Ihnat: Të gjithë po pyesin për trajnimin e pilotëve. Infrastruktura është një çështje dytësore për momentin. Në të vërtetë, problem kryesor është trajnimi sepse teknologjitë perëndimore të pilotimit janë krejtësisht të ndryshme.

Avionët MiG-29 dhe F-16 janë të së njëjtës periudhë, pra ata janë avionë të gjeneratës së katërt. Por F-16 kaloi nëpër disa faza të modernizimit të thellë, gjatë të cilave u zëvendësuan pajisjet e tij në bord dhe radari. Gjëja më themelore është se në aeroplan ndodhet një radar që dikton objektiva dhe mund të gjurmojë disa objektiva në të njëjtën kohë, në drejtim të të cilave mund të lëshohen disa raketa në të njëjtën kohë. Kjo është shumë e rëndësishme për luftën.

Disa faza të modernizimit të thellë e bënë këtë avion krejtësisht të ndryshëm. Teknologjia është e ndryshme krahasuar me atë në avionin MiG-29, me të cilin rusët e krahasojnë avionin F-16, duke thënë se ata janë avionë të së njëjtës klasë. Atëherë, le të përballen me avionët F-16. Pra, piloti duhet të mësohet, le të themi, nga një makinë e vjetër e viteve 1960 në një makinë të re të vitit 2010, ku gjithçka është e automatizuar, ku ka një kuti marshi të automatizuar, një ekran të ri etj. E njëjta gjë vlen edhe edhe për aeroplanin. Ka afërsisht 300 çelësa dhe butona në MiG-29, piloti duhet të kontrollojë manualisht të gjitha këto pajisje, të shpërqendrohet nga operacionet luftarake dhe të kryejë këto lëvizje. Në avionët F-16, një pjesë e këtyre funksioneve tashmë janë të kufizuara dhe të automatizuara.

Zëri i Amerikës: Pra, pilotët mund të kenë edhe më shumë njohuri dhe përvojë?

Ihnat: Po. Këtu përqëndrohemi më shumë tek pilotët e rinj që janë në gjendje të komunikojnë më mirë me teknologjitë dhe pajisjet më të fundit. Ekranet pa tastierë, janë të gjitha në avionët F-16. Mënyra se si funksionon është si një fëmijë duke luajtur një lojë kompjuterike. Duhet pak kohë për tu përshtatur. Për shembull doreza e kontrollit, në avionët sovjetik MiG-29, është në mes, e kontrollon piloti. Në avionët F-16, është anash.

Zëri i Amerikës: Si në një makinë.

Yurii Ihnat: Po. Si një tastierë lojërash elektronike. Ai [piloti] e kontrollon atë si një tastierë lojërash. …Aeroplani do të bëjë një pjesë të punës për të, për pilotin. Dhe gjëja kryesore për të bërë është të mësosh se si të luftosh ndërsa je në avion. Ky është çelësi. Ata do të fluturojnë për një javë ose dy, për shembull. Por përdorin të gjitha llojet e armëve kundër objektivave ajrore, tokësore dhe sipërfaqësore. Për të punuar në koordinim të plotë, si pjesë e një të tëre, një njësi aviacioni dhe për të përdorur të gjitha llojet e armëve në mënyrë efektive, duhen orë të tëra fluturimi. Këtu përfshihen orë fluturimi me një instruktor, pastaj fluturime të pavarura në kushte të mira dhe të vështira atmosferike. E gjithë kjo arrihet nga niveli i përgatitjes. Në parim, ata pilotë dhe të rinj që do të shkojnë për të studiuar në vende të ndryshme të Evropës, ndoshta në Shtetet e Bashkuara… ata tashmë kanë 200 orë fluturimi pas universitetit. Ata tashmë kanë dhjetëra apo qindra orë fluturim në operacione luftarake me pajisjet sovjetike. Prandaj, mendoj se ata kanë një nxitje të madhe, një dëshirë të madhe.

Zëri i Amerikës: A e keni përcaktuar tashmë se sa kohë do t'u duhet pilotëve dhe sa prej këtyre pilotëve ka sot Ukraina që mund të zotërojnë shpejt një avion F-16?

Yurii Ihnat: Sa i përket numrit të pilotëve, ne kemi listën: raundi i parë, raundi i dytë, raundi i tretë. Komandanti i Forcave Ajrore, gjeneral lejtnant Mykola Oleshchuk, merr personalisht vendime në lidhje me dërgimin e specialistëve të caktuar.

Zëri i Amerikës: Po flasim për 100? 200?

Yurii Ihnat: Jo, po flasim për dhjetra. Sigurisht, ne nuk kemi mundësi t'i dërgojmë të gjithë pilotët menjëherë. Çfarë do të na mbetet? Ne kryejmë dhjetëra sulme ajrore kundër tyre [rusëve] çdo ditë duke shfrytëzuar pajisjet sovjetike që kemi momentalisht. Nuk ka rrugëdalje tjetër. Këmbësoria ka nevojë për mbështetje ajrore. Nëse nuk është aty, atëherë do të vdesin më shumë njerëz. Prandaj, nuk ka mundësi më shumë.

Kështu, janë identifikuar dhjetëra pilotë që do të shkojnë me rend, ndoshta në vende të ndryshme, si dhe inxhinierë të aviacionit që do të bëjnë shërbimin e pajisjeve. Ky është edhe komponenti i dytë që nevojitet gjithashtu.

Këtu janë ata pilotë që tashmë dinë anglisht, pilotë të rinj, të motivuar, që do të shkojnë atje për të studiuar. Dy pilotë iu nënshtruan trajnimit në Arizona... jo trajnim, është e nevojshme të veçohen vlerësimi, vlerësimi i specialistëve perëndimorë dhe amerikanë. I vunë në simulatorë fluturimi, siç i quajnë në Amerikë dhe iu thanë: “Fluturo”. … Ata shikojnë se sa mirë mund t’ia marrin dorën këtij avioni luftarak, me F-16, dhe përpiqen ta drejtojnë atë. Ata duhet të bëjnë ngritje dhe ulje, veprime të tjera në simulatorë. Ne deklaruam tek Forcat Ajrore se do të duhen gjashtë muaj stërvitje. Amerikanët arritën në përfundimin se duhen deri në katër muaj. Dhe ndoshta dikush do ta zotërojë atë më shpejt. Njerëzit janë të ndryshëm, secili ka trajnime të ndryshme individuale. Kjo është arsyeja pse ka parashikime kaq të mira për stërvitjen dhe ne mendojmë se do të realizohen.

XS
SM
MD
LG