Lidhje

Kosovë, stërvitja ushtarake “Defender Europe 23”


Të dielën në Prishtinë u zhvillua ceremonia hapëse e stërvitjes së përbashkët ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 23” e cila drejtohet nga komanda për Evropë e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova do të jetë për të dytën herë pritëse e stërvitjes qe vlerësohet si më e madhja ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit dhe që synon të zhvilloj gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve e aleatëve të NATO-s.

Kosovë, stërvitja ushtarake “Defender Europe 23”
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:56 0:00

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha të dielen se “Defender Europe 23” është një stërvitje posaçërisht e rëndësishme tani kur ka një agresion të pajustifikueshëm rus në Ukrainë.

Ambasadori amerikan vlerësoi lart bashkëpunimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës e cila tha se ka shënuar përparim përmbajtësor vitet e fundit. Ai theksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar FSK-në në rrugën e saj të siç tha një force profesionale, shumëetnike e të ndërveprueshme me NATO-n.

“Një nga qëllimet e kësaj stërvitjeje është të dëshmojmë se ushtria amerikane është e gatshme, e aftë për të zbarkuar me shpejtësi trupa e paisje luftarake, për t’i siguruar aleatët tanë, për parandaluar ata që mund të kërcënojnë paqen, si dhe për ta mbrojtur kontinentin e Evropës nga agresioni”, tha ambasadori Hovenier.

Udhëheqësit e Kosovës thanë se kjo stërvitje është simbol i vendosmërisë së vendit për ta ruajtur paqen në botë dhe i përkushtimit të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes të vendeve demokratike.

“Rruga jonë përpara është e pandalshme, e ne jemi të vendosur fuqishëm në konsolidimin dhe forcimin e institucioneve demokratike të shtetit të së drejtës e sundimit të ligjit si faktor jetik në fuqizimin e sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes në vendin tonë. Në një mjedis shumë të ndjeshëm të sigurisë ku sfidat e kërcënimet sa vijnë e bëhen gjithnjë e më komplekse, rëndësia e bashkëpunimit me aleatët në fushën e mbrojtjes, krahas të gjitha fushave tjera, është e domosdoshme dhe ekzistenciale”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Mbi një mijë e 300 ushtarak të forcave tona do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krah të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Forca e Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, tha se kjo stërvitje ka rëndësi hisorike për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Përgatitja për realizimin e suksesshëm të stërvitjes ‘Defender Europe 23’ ka filluar prej një viti e gjysmë, trajnime të vazhdueshme, investime në blerje ushtarake, paisje dhe sistemi, shkollim e stërvitje të përbashkëta brenda dhe jashtë vendit. Për ne është shumë e rëndësishme që ngritjen e kapaciteteve tona ta bëjmë gjithmonë sipas standadeve të NATO-s sepse rruga jonë është e qartë, destinacioni është një dhe i vetmi - anëtarësimi në NATO”, tha zoti Mehaj.

Më shumë se një mijë e 300 trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës marrin pjesë këtë vit në stërvitje, një numër dukshëm më i lartë se në vitin 2021 kur Kosova ishte për herë të parë pritëse e stërvitjes me rreth 300 pjestarë të angazhuar.

Këtë vit në stërvitje marrin pjesë gjithsej mbi 25 mijë trupa nga mbi 20 vende, ndërkaq pjesë të ndryshme të saj do të zhvillohen në dhjetë vende në Evropë. Në Kosovë stërvitja këtë vit do të përqendrohet në rajonin e Gjakovës.

XS
SM
MD
LG