Autoritetet amerikane thotë se kanë kthyer mbrapsht me mijëra vetë që kanë kaluar kufirin amerikan në mënyrë të paligjshme. Që nga heqja më 11 maj e kufizimeve të lidhura me pandeminë, në kufirin SHBA-Meksikë po zbatohen rregulla të reja, më të forta. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Celia Mendoza, sjell zërat e atyre shumë emigrantëve që duan të ndjekin rrugën e ligjshme për hyrjen në SHBA. Ata thonë të aplikosh për azil, është tejet e vështirë.
Luis Pineda, një djalë 10 vjeçar nga Venezuela dhe nëna e tij, ndodhen tashmë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Ata duan të zbatojnë rregullat, duke e paraqitur rastin e tyre tek agjentët e Patrullës Kufitare amerikane, të cilët përpunojnë me mijëra raste si ata në ditë. Por Luisi dhe nëna e tij janë vetëm dy, nga turmat e njerëzve që përpiqen të kalojnë në SHBA.
Fidel Baca punonjës i Patrullës Kufitare amerikane në El Paso të Teksasit, thotë se njësia e tij është ndeshur këtë muaj me mesatarisht rreth 1,150 njerëz në ditë, që kanë kaluar kufirin.
"Ajo që kemi parë në javët e fundit është një numër i madh njerëzish që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme në El Paso të Teksasit. Ata kalojnë lumin dhe i dorëzohen Patrullës Kufitare".
Sipas zotit Baca nga tetori deri në mars autoritetet e Patrullës Kufitare të njësisë së El Pasos, kanë hasur 265 mijë persona përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.
Autoritetet amerikane kanë njoftuar vendosjen e masave të reja që synojnë të pengojnë kalimin e paligjshëm të kufirit ndërsa kanë përcaktuar rrugë ligjore për migrantët që të sigurojnë azil. Kjo nëpërmjet aplikimeve në internet si dhe gjetjes së një personi brenda Shteteve të Bashkuara që merr përsipër kostot financiare të qëndrimit të tyre. Po kështu imigrantët i nënshtrohen edhe kontrolleve të së shkruarës së tyre.
Agjentët kufitarë u kanë bërë thirrje imigrantëve që duan të kërkojnë azil, që takimet me agjentët e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare t’i caktojnë përmes një aplikacioni, që kjo agjenci ka vënë në dospozicion, i cili shkarkohet në telefon.
“Ne u rekomandojmë atyre që duan një takim me agjentët tanë doganorë të përdorin aplikacionin ‘CBP One’. Është falas për t'u shkarkuar dhe është një mënyrë e sigurt për të garantuar një takim me ne”, thotë Elias Rodríguez, sektori i Çështjeve Publike në CBP.
Por emigrantët thonë se aplikacioni ka defekte teknike dhe mungesa e qasjes në internet mund ta bëjë problematike përdorimin e tij.
Ky emigrant që ka kaluar tashmë kufirin thotë se aplikacioni nuk i ka funksionuar. Ai kërkoi të mos identifikohej.
“U përpoqa të caktoj një datë për takim dhe nuk ia dola. Kjo është qesharake fare. Ndërsa më kërkohej një foto, aplikacioni doli nga rrjeti. Nuk e kemi ne në dorë ta bëjmë atë të funksionojë. Është zhgënjimi që të bën të zgjedhësh rrugën tjetër, atë të kalimit të paligjshëm të kufirit”, thtotë ai.
Luisi dhe nëna e tij udhëtuan drejt Meksikës, duke kaluar nëpër xhunglën e dendur e famëkeqe ‘Darien Gap’, që shtrihet në kufirin Kolumbi-Panama. Ata u dorëzuan tek autoritetet, dhe thonë të bindur se pas asaj që kanë kaluar, nuk ka më kthim pas në Venezuelë.
"Trishtohem, sepse shumë njerëz nuk ia dolën t’i mbijetojnë xhunglës", thotë Luizi.