Lidhje

Dronët amerikanë që përdoren nga Ukraina


Në fund të prillit, një model më i fuqishëm i një droni amerikan u shfaq në fushën e betejës në Ukrainë. Droni “Switchblade 600” është një variant i përmirësuar i modelit “Switchblade 300”. Një ekip i Zërit të Amerikës vizitoi fabrikën e prodhimit të dronëve në qytetin Los Anxhelos të Kalifornisë.

Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës dronë të modelit “Switchblades”, me teknologji moderne, për ta ndihmuar në luftën kundër Rusisë. Këta dronë prodhohen në Kaliforni nga kompania AeroVironment.

Dronët amerikanë që përdoren nga Ukraina
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

Dy lloje dronësh, modeli 300 dhe modeli më i fuqishëm 600, që njihen edhe si ‘dronë kamikazë’, u dërguan në Ukrainë në fillim të pranverës së vitit 2022 dhe njoftohet se po përdoren në fushën e betejës. Modeli 300, më i vogël, mund të transportohet lehtësisht nga një ushtar.

“Ky model është ndërtuar brenda një tubi që peshon 2.5 kilogram dhe i gjithë droni peshon 5 kilogram. Një ushtar i vetëm mund ta mbajë dronin në çantën e shpinës. Duhen rreth dy minuta për ta bërë dronin gati për mision”, thotë John Aldana, manaxher i programit Switchblade.

Droni i avancuar “Switchblade 600” fluturon me një shpejtësi deri në 185 kilometra në orë. Pasi arrin në destinacion, droni qëndron pezull duke gjurmuar objektivin dhe dërgon në bazë pamje nga skena. Kur zbulohet objektivi dhe merret pëlqimi për të vepruar, droni përplaset me të dhe shpërthen.

Modeli “Switchblade 600” është më i madh dhe më i avancuar se modeli pararendës, 300. Modeli 600 është më i rëndë, por portativ. Mund të qëndrojë më gjatë në ajër dhe është i fuqishëm për të depërtuar tanket.

Një nga karakteristikat më unike të këtyre dronëve është aftësia për të qendruar pezull në ajër dhe gjetja e këndit më të mirë para goditjes së objektivit.

“Ndoshta objektivi është duke lëvizur dhe është e vështirë ta godasësh. Meqenëse droni qëndron pezull, drejtuesi me telekomandë pret për momentin më të përshtatshëm për ta eleminuar”, thotë John Aldana, manaxher i programit Switchblade.

Sipas kompanisë, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në Ukrainë mbi 1000 dronë të tillë.

Shefi i firmës “Switchblade” Wahid Nawabi, thotë për Zërin e Amerikës se dronët e kompanisë së tij tregojnë se si një armë relativisht me kosoto të ulët, portative dhe me aftësi ‘inteligjente’ mund të konkurrojë me armët që përdorin ushtritë më të mëdha.

“Lufta në Ukrainë është shembulli më i mirë se si një vend, ose ushtri më e vogël mund të luftojë një supërfuqi. Kryesorja është shpirti i atyre njerëzve. Në vend të dytë janë armatimet. Dronët dhe armët që prodhojmë ne kanë qënë jashtëzakonisht të suksesshme dhe shembull për ndryshim”.

Ai thotë se teknoligji të tilla mund të jenë një faktor vendimtar gjatë muajve të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG