Lidhje

Taravari: Oferta jonë - zgjedhje të parakohshme, në këmbim të ndryshimeve kushtetuese


Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, thotë se partia e tij është gati të pranojë opsionin e zgjedhjeve të parakohshme si kusht që parlamenti të miratojë ndryshimet në kushtetutë, qoftë kur bëhet fjalë për përshirjen e pakicës bullgare, si komb shtetformues, të cilin e konsideron të panegociueshëm, ashtu edhe për përfshirjen në ligjin themelor, të fjalës ‘gjuha shqipe’.

Aktualisht në Kushtetutën e vendit, gjuha shqipe nuk përmendet, por nënkuptohet, si gjuhë të cilën e flasin, mbi 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Mazhoranca nuk i ka votat për t’i bërë këto ndryshime, që do të kërkonin mbështetjen e 80 ligjvënësve, ose të 2/3 të parlamentit.

Taravari: Oferta jonë - zgjedhje të parakohshme, në këmbim të ndryshimeve kushtetuese
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:55 0:00

Për zotin Taravari zgjidhja në këtë rast mund të ishin zgjedhjet e parakohshme, që do të ofroheshin në këmbim të këtyre ndryshimeve. Ai shton se partia e tij ia ka bërë tashmë këtë ofertë në rrugë jozyrtare partisë kryesore opozitare, VMRO-DPMNE-së.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës me gazetaren Menada Zaimi, zoti Taravari flet dhe mbi kërcënimin që kanë bërë së fundmi disa parti të vogla për t'u larguar nga koalicioni qeverisës, nëse nuk kryhen reforma zgjedhore.

Ato kërkojnë ndryshimin e modelit zgjedhor, nga gjashtë njësi zgjedhore që ka aktualisht në vend, në një të vetme. Po kështu kërkojnë një sistem me lista të hapura, si dhe heqjen e pragut elektoral. Duket se kundërshtia më e madhe mes partive në koalicion mbi reformën, lidhet me njësitë zgjedhore. Aleanca për Shqiptarët thotë se ajo prej kohësh i mbahet qëndrimit për të rritur numrin e zonave zgjedhore, nga 6 aktualisht, në 8 të tilla.

Aktualisht mazhoranca, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate, ka 65 deputetë, në një parlament me 120 vende. Humbja e çdo deputeti, mund ta bënte edhe më problematike balancën e shifrave në parlament. Por zoti Taravari thotë i bindur se qeveria nuk rrezikon të humbasë shumicën në parlament dhe se mbi këtë çështje do të arrihet një marrëveshje.

Zëri i Amerikës: Zoti Taravari, dje disa parti të vogla të koalicionit qeverisës paralajmëruan se do të largohen nga mazhoranca për shkak të mos plotësimit të kërkesës së tyre për ndryshimin e sistemit zgjedhor? A rrezikon qeveria të humbasë shumicën parlamentare?

Arben Taravari: Jo. Mazhoranca për momentin ka 65 deputetë nga 120 vende që ka parlamenti. Ka disa deputetë, që së bashku me partinë maqedonase LSDM në pushtet kanë mbi dy vjet që kanë kërkesa. Besoj që kërkesat e tyre janë që të ketë një njësi zgjedhore dhe që listat të jenë të hapura. Të gjitha partitë i mbështesin listat e hapura, si partitë shqiptare ashtu edhe ato maqedonase.

Ideja është a do të jetë vetëm një njësi zgjedhore në të gjithë Maqedoninë e Veriut apo do të kemi gjashtë, sikurse kemi aktualisht. Propozimi i partisë tonë është për tetë njësi zgjedhore. Ministri i Drejtësisë e ka hapur këtë debat brenda një grupi pune dhe besoj se do të arrihet një marrëveshje e cila do të ishte gjithpërfshirëse dhe e pranueshme nga të gjitha partitë politike në parlament.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet me të cilat ndeshet vendi juaj në procesin e negociatave me BE-në është ndryshimi i kushtetutës për të përshirë pakicën bullgare si komb shtetformues në kushtetutë, si rezultat i trysnisë së Bullgarisë. Si mund të tejkalohet ky ngërç?

Arben Taravari: Në Maqedoninë e Veriut debati kryesor janë ndryshimet kushtetuese. Në krahasim me Shqipërinë, e cila besoj se në nëntor i fillon negociatat, Maqedonia e Veriut ka një kusht i cili është i patjetësueshëm për të filluar procesin e negociatave. Ky është futja e bullgarëve në preambulën e Kushteturës. Partia më e madhe opozitare maqedonase këmbëngul që të mos bëhet ky ndryshim i Kushtetutës por të shkohet në zgjedhje të parakohëshme.

Një prej arsyeve se pse Aleanca për Shqiptarët hyri në qeveri disa muaj më pare ishte që të mos shkohet në zgjedhje të parakohëshme këtë vit, sepse zgjedhjet e rregullta janë vitin e ardhshëm. Ne e ndihmuam qeverinë dhe jemi pjesë e qeverisë për të ndodhur këto ndryshime kushtetuese. Por realisht dhe objektivisht mungojnë tetë apo dhjetë deputetë, shifër e domosdoshme për votimet. Partitë shqiptare janë për këto ndryshime kushtetuese me të vetmin qëllim që sa më shpejt të fillojmë negociatat me Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Çfarë lëshimesh mund të priten në këtë proces?

Arben Taravari: Kërkesa e të gjitha partive shqiptare është që të hiqet 20%. Praktikisht, gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është gjuhë zyrtare, por quhet gjuhë që përdoret nga vetëm 20% e popullatës. Kërkesa jonë është që shifra prej 20% të zëvendësohet me fjalën shqip. Kjo përkrahet nga të gjitha partitë shqiptare. Edhe partitë maqedonase thonë se pajtohen.

Kur ndodhën ndryshimet e mëparshme kushtetuese në marrëveshjen e Prespës në vitin 2019, kishim premtime nga të gjitha partitë maqedonase se në hapjen e ardhshme të kushtetutës gjuha shqipe do të jetë zyrtare, pa citimin për 20%.

Besoj se tani do të ja arrijmë qëllimit dhe gjuha shqipe të vlerësohet ashtu siç duhet në Kushtetutë. Edhe pse opozita maqedonase mundohet të fitojë pikë politike që të mos quhet ashtu, besoj se do të ketë mirëkuptim nga qytetarët dhe gjuha shqipe të jetë të jetë zyrtarisht pjesë e kushtetutës.

Zëri i Amerikës: Nevoja për të bërë këto ndryshime kushtetuese, qoftë për përfshirjen e pakicës bullgare si komb shtetformues, apo që gjuha shqipe të njihet në Kushtetutë, të cilën e flasin mbi 20 për qind e numrit të përgjithshëm i popullsisë, a mund të çonte në zgjedhje të parakohshme. A mund të ishte kjo një zgjidhje?

Arben Taravari: Ka patur thirrje jozyrare nga partia jonë dhe parti të tjera apo grupe intelektualësh për ndryshime kushtetuese dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohëshme. Zgjedhjet e rregullta janë pas 11 muajsh dhe zgjedhjet e parakohëshme mund të zhvilloheshin në dhjetor, nëse fillojmë tani. Ja kemi bërë këtë propozim partisë më të madhe opozitare.

Nëse ata i pranojnë, ne do të jemi të gatshëm. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të bërë ndryshimet kushtetuese. Maqedonia e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës evropiane. Kjo do të shihej si një faktor konstruktiv mes krizës globale të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë.

Zëri i Amerikës: Maqedonia e Veriut, ka probleme serioze lidhur me korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ka akuza se sistemi gjyqësor nuk po funksionon si duhet, duke zvarritur dosjet për ish-zyrtarë të lartë përtej afateve ligjore. Si mund të dilet nga kjo situatë?

Arben Taravari: Kjo është ndër pikat më të dobëta të funksionimit të Maqedonisë së Veriut dhe kemi marrë shumë rekomandime nga faktorët, ekspertët dhe diplomatët e huaj. Ministria e Drejtësisë udhëhiqet nga Aleanca për Shqiptarët. Besoj se ka nisur disa procedura për të stabilizuar gjykatat dhe prokuroritë.

Është e vështirë kur vetë ministri nuk ka të drejtë të përfshihet në ndërtimin e sistemit të drejtësisë, respektivisht në përzgjedhjen e prokurorëve dhe gjykatësve. Por patjetër duhet të gjendet një mënyrë për të bërë veting për ta pastruar sistemin gjyqësor. Ka shumë ide dhe presim rekomandime nga faktori ndërkombëtar. Besoj se ministri do të dalë me propozime konkrete brenda gjashtë apo shtatë muajsh.

Besueshmëria e qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor është ndërmjet 4-8 për qind, diçka e mjerueshme. Besoj se me ndryshimet që do të propozojë Ministria e Drejtësisë do të rritet besueshmëria. Është e vërtetë që mbahen në sirtare çështje të ish-drejtuesve të larë. Fatkeqësisht ata sot janë të lirë, pavarësisht se pritshmëritë e qytetarëve ishin se ata do të burgoseshin.

XS
SM
MD
LG