Lidhje

Franca përpiqet të tërheqë investitorët e huaj


Presidenti francez Emmanuel Macron u takua të hënën me Shefin Ekzekutiv të firmës Tesla, Elon Musk, shefin e firmës Pfizer dhe drejtues të tjerë të lartë të biznesit.

Udhëheqësi francez kërkon të nxisë bizneset që të investojnë në vendin e tij, ndërsa zyra e presidentit tha se Franca ishte në pozita të shëndosha për të marrë premtime të rëndësishme investimesh të huaja.

Për zotin Macron, popullariteti i të cilit ka rënë si rezultat i një legjislacioni për rritjen e moshës së daljes në pension, takimi i biznesit “Zgjidh Francën” është një shans për të rifituar vrullin e nismës së tij për reformimin e biznesit dhe zhvendosur vëmendjen tek nxitja e një industrie më miqësore me mjedisin, siç janë edhe makinat elektrike.

Rreth 200 drejtues të lartë të bizneseve, që morën pjesë në takimin në Versajë afër Parisit, deri më tani kanë premtuar investime në një total prej 13 miliardë eurosh. Ky është zotimi më i madh që kur zoti Macron mbajti për herë të parë takimin në vitin 2018, tha zyra e tij.

Zoti Musk, i cili drekoi me Ministrin e Financave Bruno Le Maire, tha se ishte i bindur që Tesla do të bënte "investime të rëndësishme" në Francë në të ardhmen, por pa dhënë një afat.

“Asnjë njoftim sot, por jam shumë i impresionuar me Presidentin Macron dhe qeverinë franceze dhe sa mikpritës janë ata”, tha zoti Musk për gazetarët.

Zyra e presidentit tha se bisedimet mbuluan tema të tilla si reagimi evropian ndaj ligjit amerikan për pakësimin e inflacionit dhe përparimet që ka bërë Franca në tërheqjen e investimeve dhe përmirësimin e perspektivës për automjetet elektrike dhe energjinë.

“Kemi shumë për të bërë së bashku”, shkroi zoti Macron në rrjetin Twitter.

Ministri i Financave Bruno Le Maire foli me zotin Musk lidhur me uljen e taksave për investimet në teknologjinë e gjelbërt, plan i publikuar javën e kaluar.

I pyetur nëse Franca po përpiqej të bindte zotin Musk për të ndërtuar një fabrikë në Francë, zoti Le Maire tha se do të preferonte ta mbante sekret përmbajtjen e bisedimeve për shkak të konkurrencës së ashpër midis palëve rivale.

Më parë Franca u përpoq ta bindte zotin Musk që të ndërtonte një fabrikë, por ai zgjodhi Gjermaninë për fabrikën e tij të vetme në Evropë deri më tani.

LUFTA PËR INVESTIME

Presidenti Macron, një ish-bankier investimesh, po konkurron në skenën globale për investime në teknologjinë e gjelbër në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë bërë një magnet për këto investime pas miratimit të Aktit për Reduktimin e Inflacionit (IRA) prej 430 miliardë dollarësh, i cili përfshin subvencione të mëdha tatimore për të ulur emetimet e karbonit dhe prodhimin vendas.

Fabrika e Teslës pranë Berlinit filloi të përfundonte makinat e para në mars 2022 dhe prodhon rreth 5,000 automjete të Modelit Y në javë, me një kapacitet maksimal prej 500,000 makinash në vit.

Por megjithëse ka filluar montimin e baterive në Gjermani, Tesla ka thënë se do të përqëndrojë prodhimin e tyre në SHBA pas miratimit të Aktit për Reduktimin e Inflacionit.

Për ta kundërshtuar këtë, zoti Macron tha javën e kaluar se nxitja ekzistuese e subvencioneve të Francës deri në 5,000 euro për blerësit e makinave të reja elektrike do të kushtëzohej me përmbushjen e standardeve të ashpra të karbonit të ulët nga prodhuesit e tyre, duke përjashtuar efektivisht makinat e prodhuara jashtë Evropës.

Franca deri më tani pret gjithsej 28 projekte investimi nga disa kompani duke filluar nga gjigandi farmaceutik amerikan Pfizer tek prodhuesi suedez i mobiljeve IKEA dhe banka e investimeve Morgan Stanley. Në total, projektet pritet të krijojnë 8000 vende pune.

Investimi i vetëm më i madh është një projekt prej 5.2 miliardë eurosh nga një prodhues tajvanez i baterive të makinave në qytetin port verior të Dunkirkut, të cilin presidenti Macron e njoftoi të premten.

Ajo pasohet nga një fabrikë 1.5 miliardë eurosh e komponentëve të baterive gjithashtu në Dunkirk në një sipërmarrje të përbashkët midis grupit kinez XTC dhe firmës franceze Orano.

IKEA ka plane të investojë 906 milionë euro deri në vitin 2026 ndërsa Pfizer ka planifikuar 500 milionë euro për t'u zgjeruar në Francë gjatë së njëjtës periudhë e ndjekur nga rivali britanik GSK GSK.L me 400 milionë euro, tha zyra e presidentit Macron.

Morgan Stanley planifikon të rrisë numrin e punonjësve në Francë deri në 200 deri në vitin 2025, duke e çuar numrin e përgjithshëm të stafit në vend në 500.

XS
SM
MD
LG