Lidhje

Osmani: Agresioni rus ndaj Ukrainës dhe lufta kundër dezinformimit


Bujar Osmani
Bujar Osmani

Lufta kundër dezinformimit është një sfidë globale dhe për këtë arsye është bërë pjesë e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara, thotë Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, Maqedonia e Veriut do të rrisë kapacitetet e saj për luftën kundër propagandës dhe lajmeve të rreme që synojnë destabilizimin e rajonit. Zoti Osmani foli edhe për përpjekjet për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, që është një pengesë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

 Osmani: Agresioni rus ndaj Ukrainës dhe lufta kundër dezinformimit
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:39 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, të hënën këtu në Uashington, ju keni nënshkruar një memorandum me të dërguarin e posaçëm të Departamentit të Shtetit, James Rubin për luftën kundër dezinformimit. Maqedonia e Veriut është e njohur për praninë e disa qendrave të përhapjes së lajmeve të rreme në internet që janë nxitur nga Rusia. A keni një strategji kundër dezinformimit?

Bujar Osmani: Sigurisht që kjo është një sfidë e kohëve të reja dhe ne kemi strategjitë kombëtare për ballafaqimin me këtë sfidë. Mirëpo, është e pamjaftueshme që këtë luftë globale ta bëjmë vetëm. Prandaj, kjo çëshje është bërë pjesë e rëndësishme e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas disa javësh ne do të shënojmë një vjetorin e fillimit të dialogut strategjik, të cilin e kemi kthyer në një plan veprimi dhe është bërë program i qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe institucioneve që kryejnë obligimet e tyre në kuadër të këtij plani. Lufta kundër dezinformatave, lajmeve të rreme, propagandës ka qenë një prej temave të rëndësishme të dialogut strategjik, që e filluam vitin e kaluar, dhe tani vetëm po operacionalizohet, jo vetëm përmes nënshkrimit të këtyre memorandumeve, por edhe zbatimit të tyre, duke krijuar kapacitete, njohuri, dije të institucioneve dhe njerëzve përkatës për ballafaqim me këtë sfidë.

Zëri i Amerikës: Cilat janë disa nga vështirësitë në përpjekjet kundër dezinformimit, duke marrë parasysh që kjo është një sfidë edhe për vendet e tjera të rajonit?

Bujar Osmani: Sigurisht, Ballkani Perëndimor ka qenë tokë pjellore, nëse mund ta them, për një luftë dezinformatash. Aty janë krijuar qendra që më përpara, të cilat janë burim i informacioneve të rreme ose propagandës që është në funksion të destabilizimit të rajonit. Situata është përkeqësuar edhe më tepër nga agresioni rus në Ukrainë, pasi këto qendra ekzistuese intensifikuan aktivitetet e tyre. Maqedonia e Veriut tashmë është anëtare e NATO-s, që do të thotë se ajo nuk ka obligime vetëm për sigurinë e saj por edhe atë të rajonit dhe të aleancës. Tani kemi edhe një rol rajonal si kontribues i stabilitetit në rajon. Kjo na jep obligime shtesë për t’u bërë pjesë e këtyre kapaciteteve ndërkombëtare për të luftuar këtë sfidë. Mendoj se në këtë drejtim, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është ajo që duhet bërë, mbi të gjitha për të ndërtuar kapacitetet për një luftë afatgjatë me këto sfida të reja, të cilat nuk besoj se do të përfundojnë nesër ose pasnesër. Kjo do të jetë një sfidë e vazhdueshme, e cila vetëm në aspektin e teknologjisë dhe mënyrës së qasje do të modernizohet më tepër dhe do të bëhet më e rrezikshme. Ne duhet të jemi të përgatitur që të ballafaqohemi me këto sfida.

Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, në takimin e delegacionit maqedonas me Sekretarin e Shtetit Blinken u diskutua edhe për luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e gjyqësorit. Në Maqedoninë e Veriut së fundmi janë shtuar kritikat ndaj gjyqësorit, gjendjes së sundimit të ligjit dhe shkallës së korrupsionit. Cili është reagimi juaj ndaj këtyre kritikave?

Bujar Osmani: Nuk ka mekanizëm më të mirë për luftën kundër korrupsioni sesa hapja e kapitullit 23 dhe 24 me Bashkimin Evropian. Janë provuar të gjitha format e tjera, janë miratuar ligje që kanë mbetur të shkruara në letër dhe nuk janë zbatuar ose që nuk kanë sjellë rezultatin e duhur. Ndonëse ka patur një përparim në luftën e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut krahasuar me gjendjen që ishte para 10, 20 viteve, kjo nuk ka kënaqur pritshmëritë e njerëzve. Unë mendoj se, jo vetëm në rajon por edhe në botë, nuk është krijuar një mekanizëm më ti mirë, më efikas, më profesional sesa mekanizmat e procesit të negocimit me Bashkimit Evropian. Prandaj, ne po kthehemi tek thelbi. Nuk po trajtojmë simptomat e këtij problemi, por dëshirojmë të gjejmë shkaktarët rrënjësor të tij. Pra, zhbllokimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Në momentin kur do të hapen kapitujt 23 dhe 24, të cilët mbyllen në fund të negociatave, të gjitha mekanizmat, reflektorët, mikroskopët e Bashkimit Evropian do të vijnë në Maqedoninë e Veriut për të diktuar çdo pikë më të vogël të korrupsionit dhe t’i kërkojë llogari institucioneve të shtetit nëse ato nuk do të përgjigjen si duhet. Unë mendoj se ne këtu duhet të vendosim shpresën tonë, jo në krijimin e mekanizmave të rinjë, por në aktivizimin e atyre ekzistues, të cilët janë dëshmuar në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Zoti Osmani, çështja e përfshirjes së pakicës bullgare në Kushtetutë vazhdon të jetë një pengesë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Opozita ka kundërshtuar përpjekjet në Parlament për ndryshimin e Kushtetutës, duke e bërë të pamundur sigurimin e 80 votave të nevojshme për ta arritur këtë. Si mund të zgjidhet kjo çështje?

Bujar Osmani: Mendoj se dalëngadalë po kristalizohet debati në Maqedoninë e Veriut, ose po polarizohet debati mes atyre që mbështesin Bashkimin Evropian, që nënkupton aktivizimin e mekanizmave për luftën kundër korrupsionit, shtetin e së drejtës, marrëdhëniet ndëretnike, të gjyqësorit dhe atyre që janë kundër Bashkimit Evropian, që duan që të ketë një terr në vend sa i takon identifikimit të korrupsionit, luftës ndaj korrupsionit e kështu me radhë, por edhe që mund të ofrojnë alternativa lindore. Pra, si rallë herë po polarizohet debati në mënyrë të qartë mes atyre që janë për Eurovën dhe atyre që janë saj dhe kundër Shteteve të Bashkuara. Unë mendoj në këtë debat të qartësuar do të duhen partitë politike, përfshi edhe deputetët në kuadër të partive politike, të tregojnë qartë se në cilin kamp duan të jenë. Dhe mendoj që kur debati do të shtrohet kështu pak do të kenë guximin që të dalin para qytetarëve të tyre dhe të thonë se ne duam Maqedoninë e Veriut të izoluar, ne e duam Maqedoninë e Veriut në miqësi me Bjellorusinë, me Federatën Ruse apo me shtete të tjera të asaj zone dhe në këtë mënyrë unë besoj se ne do të arrijmë deri tek shumica e nevojshme për ndryshimet kushtetuese për shkak se kjo do të përcaktojë edhe kahjen e lëvizjes së shtetit.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se çështja nuk do të zgjidhet derisa të zhvillohen ndoshta zgjedhje të tjera?

Bujar Osmani: Jo. Unë mendoj që duhet dhe do të përfundojë ky proces para zgjedhjeve të ardhshme të cilat janë në termin të rregullt diku në pranverë të vitit 2024, dhe mendoj që do të ishte në dëm të shtetit nëse lejojmë që zgjedhjet e ardhshme të jenë nën frymën e ndryshimeve kushtetuese për shkak se kjo do të përkeqësojë edhe më tepër retorikën nacionaliste, anti-evropiane në vend që do i bënte dëm afatgjatë shtetit. Kujtoj se tani është koha, tani kemi mandatin për të mbyllur këtë proces e më pas zgjedhjet do të jenë garë mbi atë se kush ofron program më të mirë ekonomik, kush ofron rrugë më të shpejtë për hapjen dhe mbylljen e kapitujve drejt Bashkimit Evropian, standart jetësor, rroga, vende të reja të punës. Domethënë një normalizim i diskursit brenda në shtet. E kundërta, mosmbyllja e ndryshimeve kushtetuese deri atëherë do e kthejë Maqedoninë e Veriut në një diskurs të viteve 90 për fat të keq që nuk i kanë sjellë asgjë këtij shteti.

Zëri i Amerikës: Ka patur thirrje nga disa parti shqiptare edhe për zevëndësimin e termit “20 për qind” në Kushtetutën së Maqedonisë së Veriut me fjalët gjuha shqipe. A mund të debatohet kjo çështje në kuadër të diskutimit për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e vendit tuaj?

Bujar Osmani: 20 përqindëshi ishte pjesë e përpjekjeve për të arritur Marrëveshjen e Ohërit dhe është përdorur si term, edhe pse në substancë nuk krijon ndonjë vështirësi për shkak se nënkupton komunitetin shqiptar, në atë kohë për t'u pranuar më lehtë nga komuniteti maqedonas është riemëruar ashtu që të kalonte më lehtë marrëveshja në vrullin e luftës që ishte në vend. Tani ky 20 përqindsh është bërë shqetësues për shoqërinë për shkak se e ka shndërruar procesin e regjistrimit të popullatës në proces politik e jo në proces statistikor, për nevojat e politikave jo të politikës. Për fat të keq, tek ne regjistrimi është edhe në shërbim të politikës. Prandaj tani në debatin e përgjithshëm edhe partitë maqedonase e kanë kuptuar se kanë bërë gabim asokohe kur kanë insistuar që të vishet me një emërim tjetër për shkak se tani po krijon tensione, telashe të tjera dhe ata janë për tërheqjen e këtij 20 përqindëshi dhe emërimin ashtu si duhet gjuha shqipe, komuniteti shqiptar. Mirëpo sigurisht që do të ketë elementë që do të duan të keqpërdorin tani në këtë debat, duke penguar inkuadrimin e bullgarëve në kushtetutë, të përdorin si alibi kërkesën për ndryshimin e 20 përqindëshit dhe të thonë ‘ja shqiptarët po e pengojnë rrugën evropiane të vendit’. Unë mendoj se nëse do të ketë vullnet politik nga të gjithë për ta bërë tani bashkë me ndryshimet kushtetuese është e mirëseardhur dhe unë mendoj që do lehtësojë shumë komunikimin e brendshëm në shtet. Nëse do të tentohet të përdoret si alibi kujtoj se tani duhet t’i japim prioritet ndryshimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me hapjen e kapitujve 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit. Mendoj se kjo është e rëndësishme dhe urgjente për vendin e pastaj në proces do t’i rregullojmë edhe çështjet e tjera.

Zëri i Amerikës: Maqedonia e Veriut ka kryesinë e radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Siguria e Evropës vazhdon të kërcënohet nga agresioni i Rusisë në Ukrainë për më shumë se një vit. Çfarë masa po ndërmerrë OSBE-ja për të ndihmuar civilët në Ukrainë dhe për zgjidhjen e këtij konflikti?

Bujar Osmani: Maqedonia e Veriut ka marrë kryesimin me OSBE-në në kohët më të vështira dhe më sfiduese. Sigurisht që Ukrania është prioriteti numër një dhe prioritet që do ta kemi përgjatë gjithë kryesimit deri në fund të këtij viti. E dini që Federata Ruse për shkak se organizata është e bazuar në konsensus, ka bllokuar prezencën tonë zyrtare atje duke i mbyllur dy misionet e mëdha të OSBE-së në Kiev. Mirëpo ne nuk jemi dëshpëruar në këtë drejtim por kemi gjetur mënyra sesi t’i tejkalojmë këto bllokada ruse. Dhe prandaj kemi aktivizuar atë që e quajmë Program Mbështetës për Ukrainën, duke u financuar nga vendet pjesëmarrëse të OSBE-së, jo nga buxheti i unifikuar për shkak se kjo kërkonte konsensus nga 57 vendet anëtare. Ne kemi aktivizuar një mekanizëm të rikthimit vetëm me vullnetin e vendeve që mbështesin këtë iniciativë. Deri tani janë paraqitur mbi 25 shtete të cilat kanë treguar gadishmëri për ta financuar këtë projekt dhe tani ne po rikthemi në Ukrainë ashtu siç kemi qenë në aspekt të detyrave, në aspekt të kapaciteteve por tani nga burime të tjera të financimit. Çfarë duhet të them me këtë? Pavarësisht bllokimit dhe paralizimit të organizatës që e bëjnë disa vende anëtare, organizata po tregon rezistencë dhe kreativitet për t’i dalë në ndihmë vendeve të veta pjesëmarrëse edhe në forma të tjera dhe ashtu do të veprojmë deri sa të gjejmë një mënyrë tjetër për të funksionuar.

XS
SM
MD
LG