Lidhje

Reagime të përziera ndaj nismës kineze për një Rrugë Mëndafshi Dixhitale


Nga infrastruktura 5G tek telefonat celularë e më gjerë, teknologjitë kineze përdoren në shumë pjesë të botës. Kjo është pjesë e nismës së Rrugës Dixhitale të Mëndafshit të Kinës, e cila po merr vlerësime të përziera. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee thotë se nisma është mirëpritur nga disa vende, por të tjerë po peshojnë rreziqet e mundshme të teknologjisë kineze.

Reagime të përziera ndaj nismës kineze për një Rrugë Mëndafshi Dixhitale .mp4
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00


Nga telefonat te kompjuterët, ajo që lidh njerëzit në shumë pjesë të botës është teknologjia kineze. Kina e quan përpjekjen e saj globale të teknologjisë që filloi në vitin 2015, Rruga Dixhitale e Mëndafshit. Pekini e konsideron atë si "dimensioni teknologjik i Nismës ‘Një Brez, një Rrugë’ së Kinës” me një shtrirje nga fundi i oqeanit në hapësirë. Gjermania ka teknologji kineze, por po shqyrton mundësinë të ndalojë pajisjet kineze 5G.

"Këto kontrolle të rrepta për rreziqet e mundshme të sigurisë tani zbatohen edhe për elementet ekzistues në rrjetet e telekomunikacionit dhe këta elementë do të kontrollohen gjithashtu në mënyrë kritike në muajt e ardhshëm", thotë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme gjermane, Maximilian Kall.

Ambasada kineze në Berlin u përgjigj se është "e habitur dhe mjaft e pakënaqur" nga veprimet e Gjermanisë. Në SHBA, kufizimet e forta mbi teknologjinë kineze filluan nën ish-presidentin Donald Trump, i cili përmendi shqetësimet e sigurisë kombëtare. Në Britani, teknologjia Huawei duhet të hiqet nga rrjetet e saj 5G deri në fund të vitit 2027. Ja si iu përgjigj Kina vendimit britanik në vitin 2020.

“Britania, pa prova konkrete, me pretekstin e rreziqeve fare joekzistente, ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara për të diskriminuar, shtypur dhe përjashtuar sipërmarrjet kineze”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying.

Shqetësimet e sigurisë në lidhje me aftësinë e Pekinit për të përgjuar me teknologjinë kineze dhe kontrollin e infrastrukturës së telekomunikacionit, kanë ngritur alarmin në disa vende perëndimore, por vendet nga Azia Juglindore në Afrikë kanë mirëpritur ofertat e Kinës për mënyra më të lira të lidhjes dixhitale, thotë Meia Nouwens, një eksperte për Kinën.

"Në Afrikë për shembull, retorika është pak më ndryshe, siç do të jetë në ekonomitë e tjera në zhvillim, ku theksi nuk është aq shumë tek shqetësimet e sigurisë, por kryesisht tek mënyra se si kompanitë kineze mund t'i ndihmojnë këto vende të zhvillojnë ekonomitë e tyre dixhitale", thotë ajo.

Megjithëse vende të tjera përveç Kinës ofrojnë pajisje teknologjike si telefonat, në një fushë të konkurrencës dixhitale, SHBA dhe Kina janë lojtarët kryesorë, thotë eksperti financiar Robert Greene.

"Shërbimet në renë kompjuterike janë një fushë shumë e rëndësishme", thotë ai.

Megjithëse konkurrenca mes vendeve mund të bëhet në nivel gjeopolitik, analistët thonë se ajo ndikon edhe tek konsumatorët.

"Të kuptuarit e kontekstit më të gjerë gjeopolitik është me të vërtetë i rëndësishëm që konsumatori i zakonshëm të kuptojë se nuk kemi të bëjmë me një qeveri që vepron në të njëjtën mënyrë si qeveria jonë", thotë zonja Nowens.

Ashtu si me çdo teknologji, thotë zonja Nouwens, konsumatorët duhet të peshojnë se sa i besojnë teknologjisë që përdorin dhe rreziqet që mund të paraqesë teknologjia në drejtim të ruajtes së të dhënave personale dhe përdorimit të informacionit.

XS
SM
MD
LG